Tenderët e 'dyshimtë' në komunën e Prizrenit, Haskuka e ka një sqarim

Tenderët e 'dyshimtë' në komunën e Prizrenit, Haskuka e ka një sqarim

14:26, 26/10/2020

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka reaguar ndaj raportimeve të mediave për kontrata të 'dyshimta' të cilat janë dhënë gjatë qeverisjes së tij, në këtë komunë.

Haskuka, shkruan se tanimë pothuajse është bërë e përditshme që të bëhen shpifje pa pikë logjike, e madje pa pikë morali, me gënjeshtra e pretendime të ndryshme për ta njollosur qeverisjen në Prizren.

"Ju lus të gjithëve që të mos bieni pre e shkrimeve të tilla qëllimkeq, ndërkaq ata të cilët vazhdojnë të shpifin, ftoj që të heqin dorë nga kjo dhe të kërkojnë falje publike, në të kundërtën do të japin llogari para ligjit për shpifjet që po i bëjnë" ka shkruar Haskuka.

 

Sqarimi i Haskukës pas raportimeve në media:

Të dashur qytetarë,
Tanimë pothuajse është bërë e përditshme që të bëhen shpifje pa pikë logjike, e madje pa pikë morali, me gënjeshtra e pretendime të ndryshme për ta njollosur qeverisjen tonë.
Një e tillë është bërë edhe për një kontratë të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, për të cilën kam parë shkrime tendencioze të disa individëve e disa portaleve.
Gjithnjë, vetëm për hir të së vërtetës dhe informimit të drejtë të qytetarëve, dua të njoftoj se kontrata në fjalë ka të bëjë me “Ndërtimin e terreneve sportive në Prizren” dhe kështu titullohet edhe në kontratë, të cilën mund të gjeni në mënyrë transparente në web-faqen e Komunës së Prizrenit, me numër të prokurimit 622-18-150-521.
Më lejoni që me rend të sqaroj secilën shpifje të qëllimshme, që është bërë ndaj nesh:
1. Në shkrime tendencioze thuhet kinse në këtë kontratë bëhet fjalë për fushën e Basketbollit, Tenisit dhe Futbollit që gjendet jashtë Qendrës Sportive “Sezai Surroi”!
Në fakt, në asnjë pjesë të kontratës, e as në paramasa nuk thuhet që intervenimet do të bëhen vetëm në këtë qendër.
Punimet që janë kryer, si dhe pajisjet që janë paraparë nga kjo kontratë janë vendosur në fusha, salla e pjesë të ndryshme të qytetit në bazë të kërkesave të akterëve të sportit, arsimit dhe qytetarëve të komunës së Prizrenit.
2. Thuhet që në paramasën e projektit janë paraparë gjërat e njëjta që i posedon fusha, si Kosha me Tabelë të Basketbollit, por që vendosja e tyre nuk është bërë në Qendrën Sportive
Përsëri, ashtu siç u cek edhe më lartë, në kontratë nuk specifikohet se ku duhet të vendosen koshat. Meqë koshat ekzistuese në terrenin e Qendrës Sportive ishin në gjendje të rregullt, sipas kërkesës së drejtorit të gjimnazit “Gjon Buzuku”, paralelja në Romajë, koshat do të vendosen në atë shkollë dhe aktualisht janë ne depot e palestrës sportive në qendrën “Sezai Surroi” (siç mund të shihet në foton nr. 2.1, 2.2.)!
3. Thuhet kinse nuk i kemi vendosur Gollat
Gollat që janë paraparë në këtë kontratë janë vendosur po në terrenin që ndodhet në oborrin e Qendrës Sportive, ku ndërrimi i gollave të vjetër ka ndodhur sepse ato ishin shumë të dëmtuara (shih në foton nr. 3).
4. Thuhet se nuk janë vendosur Tribunat lëvizëse
Besoj se tanimë të gjithë adhuruesit e sportit, të cilët e kanë vizituar palestrën e Qendrës Sportive i kanë parë këto tribuna apo ulëse lëvizëse që ndodhen në këtë palestër (shih fotot nr. 4.1 dhe 4.2).
5. Është shumë qesharake ajo kur thuhet se me kontratë është paraparë e “nuk janë vendosur kurrë” (po e citoj njëjtë ashtu sikurse po shkruhet nëpër shkrime), pajisjet e ndryshme si:
• "Pajisja për ushtrime të nyjeve krahëve dhe shpinës për persona me aftësi të kufizuar"
• "Pajisja për ushtrime të belit dhe këmbëve
• "Maqina për varje dhe tërheqje"
Me të vërtetë ndihem kurreshtar se ku jetojnë personat që i shkruajnë shkrimet e tilla, sepse po të kalonin vetëm një herë nga Marashi do ta shihnin secilën prej këtyre pajisjeve. (shih foton 5.1 dhe 5.2).
6. Vazhdon po ashtu me gënjeshtrën e radhës duke thënë se është paraparë "Element me 8 panele me lartësi të ndryshme të qëndrueshme në kushte atmosferike" e që nuk janë vendosur kurrë.
Edhe për këtë, i ftoj ata që ankohen që këto pajisje nuk janë vendosur që Qendrën Sportive, se ato mund t’i gjejnë mu në oborrin e kësaj qendre! (siç mund të shihni në fotografinë nr. 6).
7. Thuhet se nuk qenkan vendosur kurrë rrjetat dhe shtyllat e Vollejbollit
Konstrukcioni i volejbollit, bashkë me karrigën e gjyqtarit kanë qenë të vendosura në terrenin sportiv në oborrin e Qendrës Sportive (shih në foton nr. 7.1), të cilët më pas, në bazë të kërkesës së sportistëve që zhvillojnë aktivitete në këtë terren, janë larguar nga menaxhmenti i Qendrës Sportive dhe janë vendosur në depot e kësaj qendre (shih në foton nr 7.2 dhe 7.3).
8. Dyshemeja
Pas kërkesës së ekipeve të hendbollit dhe të basketbollit, Drejtoria ka parë të arsyeshme t’i shtrojë dy terrenet sportive që i kemi realizuar në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” me shtresën e tartanit. (shih në foton 8.1, 8.2)
Pra kjo është e gjitha që ka të bëjë me këtë dezinformim dhe shpifje ndaj nesh!
Ju lus të gjithëve që të mos bieni pre e shkrimeve të tilla qëllimkeq, ndërkaq ata të cilët vazhdojnë të shpifin, ftoj që të heqin dorë nga kjo dhe të kërkojnë falje publike, në të kundërtën do të japin llogari para ligjit për shpifjet që po i bëjnë.
 
 
 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco