Projektligji për rimëkëmbje ekonomike mund të zvarritet

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike mund të zvarritet

08:12, 21/10/2020

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike aktualisht është nëpër komisione për ndryshime të mundshme, dhe ende nuk dihet nëse së shpejti do të procedohet për votim në lexim të dytë. Në të kundërtën sipas procedurave dhe afateve mund të zvarritet deri në janar të vitit 2021.

E për të miratuar në tërësi këtë projektligj Kuvendi i Kosovës ka në dispozicion dy muaj.

Eugen Cakolli nga KDI tha për arbresh.info se brenda dy muajve komisioni përkatës duhet të paraqes në Kuvend raportin me rekomandimet për projektligj.

“Tashmë ka kaluar një javë prej kur është miratuar në parim Projektligji për rimëkëmbje ekonomike. Sidoqoftë, Kuvendi ka gjithsej dy muaj në dispozicion për t’a miratuar këtë projektligj, meqë Rregullorja parasheh që brenda dy muajve pas miratimit të projektligjit në lexim të parë, komisioni funksional duhet t’ia paraqesë seancës raportin me rekomandime për projektligjin. Në raste të veçanta, ekziston mundësia që Komisionit përkatës t’i ofrohet afat shtesë prej një muaji. Megjithatë, ka raste kur Kuvendi nuk ka respektuar këtë afat, me projektligje të cilat kanë pritur me muaj të tërë. Brenda periudhës dy-mujore mund të propozohen amendamente për projektligjin, të cilat votohen një nga një në seancë plenare”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të kontribuoj në ndryshimin e amendamenteve për miratim në lexim të dytë të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Deputeti i kësaj partie, Kujtim Gashi në një prononcim për portalin arbresh.info tha se shumë shpejt do të mblidhet grupi punues i PDK dhe të vendos nëse do të kërkojnë ndryshimet e disa amendamenteve.

“Tani ne jemi duke e shqyrtuar se a do të kontribuojmë në amendamentet për ta plotësu dhe ndryshu Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike të cilin e ka propozu Qeveria e Kosovës. Ende nuk e kemi një vendim me cilat pika do të dalim, meqë ne edhe pse kemi qenë të gatshëm të ulemi dhe te bisedojmë dhe të korporhet ligji i tyre me ligjin e propozuar nga ana jonë, ata nuk anë qenë të gatshëm për bashkëpunim”, tha Gashi.

Gashi thotë se përderisa nuk kanë një vendim si grup parlamentar, ky projektligj si i tillë nuk do të votohet në lexim te dytë.

“Nuk kemi ende vendim se a do te kontribuojmë, në të kundërtën si i till ky ligj do ta ketë ‘kundër’ votën tonë në lexim te dytë”, tha Gashi.

Nëse projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, Kryetarja e Kuvendit e nënshkruan atë brenda dhjetë ditësh, dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje.

Ndërkaq, Presidenti tutje ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco