Tërheqjes së 10% nga Trusti, nuk do t'ia shohin 'hajrin' ata që më së shumti kanë nevojë

Tërheqjes së 10% nga Trusti, nuk do t'ia shohin 'hajrin' ata që më së shumti kanë nevojë

14:29, 16/09/2020

Instituti GAP ka publikuar një raport lidhur me përfitimet dhe dëmet që do të shkaktohen si pasojë e vendimit të Qeverisë Hoti, lidhur me tërheqjen e 10% të kursimeve pensionale nga ana e qytetarëve.

Sipas raportit, rreth gjysma e qytetarëve llogaritet se do të mund të tërheqin rreth 31 euro nga Trusti.

GAP në raport thekson se në rast se Kuvendi i Kosovës miraton ndryshimet ligjore që të lejohet tërheqja e parakohshme e kursimeve pensionale deri në 10%, kjo nuk do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit apo në borxhin publik të Kosovës.

Meqë këto të holla nuk do të kompenzohen nga buxheti i shtetit, ato nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhet apo në borxhin publik.

"Personat me të ardhura më të larta dhe me përvojë pune më të gjatë kanë më shumë para të kursyera, rrjedhimisht këta persona do të kishin mundësinë që të tërheqin shuma më të mëdha parash. Kjo do t’i mundësonte Qeverisë së Kosovës që paratë për stimulimin e ekonomisë, të planifikuara në “Pakon e Rimëkëmbjes”, t’i orientojë më shumë tek personat që nuk kanë mundur të përfitojnë nga kjo masë, sikurse që janë qytetarët e papunë, punëtorët pa kontrata pune, dhe personat që kanë kursime të pamjaftueshme në Trust. Megjithatë, deri më tani në pakon e propozuar, kjo përparësi nuk duket se është shftytëzuar" thuhet në raport.

Ndërsa lidhur me dëmet që do shkaktoj ky vendim, në raport thuhet se tërheqja e parakohshme e të hollave nga Trusti do të reduktonte kursimet e qytetarëve kontributpagues të dedikuara për moshën e pensionimit.

"Marrë parasysh kthimin mesatar të Trustit në investim, tërheqja e 1 mijë eurove në moshën 40 vjeçare redukton rreth dy mijë euro kthim në interes apo rreth 3 mijë euro në total më pak për periudhën e pensionit. Kurse personat që tërheqin 2 mijë euro humbasin rreth 4 mijë euro interes për 25 vitet e ardhshme" thuhet tutje në raport

Tutje, raporti tregon se mundësia e tërheqjes së parakohshme të mjeteve të Trustit nuk do të ishte e dobishme për një numër të madh të qytetarëve të Kosovës.

"Fillimisht, kjo masë nuk stimulon personat që më së shumti kanë nevojë, si ata të papunë dhe personat e punësuar pa kontrata pune ku të ardhurat e tyre janë relativisht të vogla. Në veçanti, në këtë grup hyn sektori i bujqësisë, ndërtimtarisë dhe ai i gastronomisë, ku informaliteti është më i lartë."

Në raportin e GAP-it poashtu thuhet se propozimi i lejimit të tërheqjes së 10 përqind të kursimeve pensionale është një metodë jokonvencionale e arritjes së këtij synimi

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco