'E djathta duhet të luftojë për problemet konkrete të qytetarëve në vendet e tyre!' Ky është mesazhi që europarlamentari Antonio Lopez-Isturiz, anëtar i PPE-së dha për të rinjtë e të rejat anëtare të Këshillit Kombëtar të PD-së.
Ai nënvizoi se partitë e qendrës së djathtë duhet të fokusohen te problemet reale të qytetarëve dhe jo te kauzat ideologjike globale. Ndërsa vlerësoi potencialin e madh të Shqipërisë, veçanërisht në turizëm, theksoi se mungesa e infrastrukturës dhe situata politike e pengojnë zhvillimin e plotë të vendit.
Fjala e Antonio Lopez-Isturiz, ish-sekretar i Përgjithshëm i Partive Popullore Europiane
Është shumë tunduese sot të ndjekësh populistët. Populistët adhurohen nga media. Bëjnë tituj sepse thonë gjëra të mëdha budallaqe që për çfarëdo arsye njerëzit sot duket se nxiten t'i dëgjojnë.
Nuk i fajësoj njerëzit, nuk i fajësoj votuesit. Po kalojnë një moment të vështirë, kanë frikë. Teknologjitë e reja, inteligjenca artificiale. Sipas moshës mund të jeni duke menduar, a do të ndodhë kjo, a do ta humbas punën?
A mund të jem avokat pas 10 vitesh kur atëherë do të jetë një makinë që thotë cilat janë ligjet? E keni këtë shqetësim. Mund ta kuptoj. Këto janë gjërat që duhet t'i analizoni për t'u dhënë përgjigje njerëzve.© SYRI.net