Izraeli ka kryer një sulm ajror të mërkurën e 6 majit, duke plagosur rëndë djalin e negociatorit kryesor të Hamasit, ndërsa sulme të tjera në të gjithë Rripin e Gazës kanë lënë të paktën pesë të vrarë. Të paktën kështu shkruan Reuters, duke iu referuar burimeve mjekësore dhe zyrtarëve të Hamasit.
Azzam Al-Hayya, djali i Khalil Al-Hayya, kreut të Hamasit në Gaza në mërgim dhe një prej figurave kryesore që ka udhëhequr bisedimet indirekte me Izraelin për të ardhmen e enklavës palestineze, u plagos rëndë në një sulm që goditi gjithashtu një tjetër person në Qytetin e Gazës.
Hayya i kishte humbur tashmë tre djem në përpjekje të mëparshme izraelite për ta eliminuar atë: dy prej tyre në Gaza gjatë konflikteve të viteve 2008 dhe 2014, ndërsa i treti u vra në një sulm në Doha vitin e kaluar.
Një zyrtar i Hamasit, Taher Al-Nono, e cilësoi sulmin si “kulm të degradimit moral dhe etik”, duke theksuar se sulmet nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e negociatorëve të grupit.
Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për incidentin.
Më herët gjatë ditës, dy sulme të tjera ajrore izraelite vranë katër palestinezë, përfshirë një kolonel të forcave policore të drejtuara nga Hamasi. Sipas autoriteteve shëndetësore, një tjetër sulm në Khan Younis vrau Nassem al-Kalazani, kreun e njësisë kundër drogës, ndërsa u plagosën të paktën 17 persona të tjerë.
Ushtria izraelite ka intensifikuar kohët e fundit sulmet ndaj forcave policore të Hamasit në Gaza, duke synuar të dobësojë kontrollin e grupit në territoret që administron.
Ndërkohë, negociatat për një plan paqeje të propozuar nga SHBA-të vazhdojnë në Kajro, ku përfaqësues të Hamasit dhe fraksioneve palestineze po diskutojnë me ndërmjetës ndërkombëtarë për fazën e dytë të planit të presidentit Donald Trump për Gazën.
Ky plan parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe nisjen e rindërtimit, ndërsa Hamasi do të dorëzonte armët e tij. Megjithatë, çarmatimi i grupit mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjes në negociata.
Të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për vazhdimin e dhunës në territorin palestinez, ku pjesa më e madhe e infrastrukturës mbetet e shkatërruar.
© SYRI.net