Trump dhe Biden, fushatë për të tërhequr votuesit afrikano-amerikanë

Trump dhe Biden, fushatë për të tërhequr votuesit afrikano-amerikanë

16:46, 29/05/2024

Kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump dhe Joe Biden, po bëjnë fushatë për të bërë për vete votuesit afrikano-amerikanë. Ekipet e të dyja fushatave kanë intensifikuar përpjekjet në këtë drejtimt.

Donald Trump u tha votuesve në Nju Jork se të gjithë amerikanët do të përfitonin nëse ai bëhet president.

‘Nuk ka rëndësi nëse je afrikano-amerikan, i bardhë apo i ndonjë ngjyre tjetër. Ne jemi të gjithë amerikanë dhe do të bashkohemi si amerikanë’, tha ai.

Joe Biden u tha udhëheqësve të të drejtave civile në Miçigan se të gjithë amerikanët janë të përfaqësuar në kabinetin e tij.

‘Në administratën tonë kemi më shumë afrikano-amerikanë, gra dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera pakicë se në çdo administratë tjetër në historinë e vendit tonë. Kjo është arsyeja pse po ecim kaq mirë’, tha Presidenti Biden.

Trump dhe Biden po bëjnë fushatë për të bërë për të tërhequr afrikano-amerikanët, vota e të cilëve mund të jetë përcaktuese në zgjedhjet e nëntorit në shtetet e lëkundura.

Të dhënat e organizatës ‘Pew Research’ tregojnë se çështjet kryesore për afrikano-amerikanët në zgjedhjet e këtij viti janë përmirësimi i sistemit arsimor dhe forcimi i ekonomisë. Zoti Trump thotë se do t'i trajtojë të dyja çështjet.

‘Ne do të kthejmë suksesin në shkollat tona. Do të sjellim begatinë në çdo lagje të qytetit më të madh në vendin tonë’, tha ai.

Ekipi i fushatës së zotit Biden po synon të tërheqë vëmendjen e afrikano-amerikanëve përmes një reklame, ku shfaqet zoti Trump duke thënë: ‘Sigurisht që i urrej këta njerëz’.

 ‘Mosrespektimi i afrikano-amerikanëve nga Donald Trump nuk është asgjë e re. Ai u padit se refuzoi t'u jepte me qira apartamentet e tij familjeve afrikano-amerikane dhe bëri thirrje për ekzekutimin e pesë adoleshentëve të pafajshëm afrikano-amerikanë’, thuhet në reklamën e demokratëve.

Presidenti Biden thotë se zoti Trump është një kandidat hakmarrës, zgjedhja e të cilit do të dëmtonte pakicat.

‘Zoti Trump nuk po konkurron për të udhëhequr Amerikën, por për t’u hakmarrë. Kjo nuk është mënyra më e mirë për të udhëhequr vendin. Nuk mund të ndërtosh një të ardhme të bazuar në hakmarrje. Një jetë më e mirë nuk mund të ndërtohet përmes inatit. Unë jam në garë për ta udhëhequr Amerikën drejt së ardhmes’, tha Presidenti Biden.

Emigracioni është një çështje e rëndësishme në fushatën e zotit Trump, që ai ua përshtati votuesve të pakicave në lagjen e Bronksit në Nju Jork.

‘Afrikano-amerikanët janë duke u masakruar. Hispanikët po masakrohen. Ardhja e miliona njerëzve në vendin tonë ka ndikim më të madh negativ tek popullatat afrikano-amerikane dhe hispanike të vendit tonë, që po humbasin vendet e tyre të punës, banesat dhe shumë gjëra të tjera’, tha ai.

Presidenti Biden u tha votuesve afrikano-amerikanë se ai sërish ka nevojë për mbështetjen e tyre për të mundur zotin Trump.

‘Falë ndihmës suaj Donald Trump sot është ish-president dhe me ndihmën tuaj ai do të jetë sërish humbës’, tha ai.

Katër vjet më parë, 92 për qind e votuesit afrikano-amerikanë mbështetën zotin Biden. Që nga muaji i kaluar, të dhënat e organizatës ‘Pew Research’ tregojnë për një rënie të kësaj mbështetjeje. 77 për qind e votuesve afrikano-amerikanë tani thonë se janë të prirur të votojnë për zotin Biden, krahasuar me 18 për qind që thonë se do të votonin për zotin Trump.

/VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco