Sondazhi i NYT: Trump në avantazh në pesë shtete kyçe

Sondazhi i NYT: Trump në avantazh në pesë shtete kyçe

12:21, 14/05/2024

Ish-presidenti amerikan Donald Trump do ta mundte presidentin aktual Joe Biden në Arizona, Georgia, Michigan, Nevada dhe Pennsylvania nëse zgjedhjet e nëntorit do të mbaheshin sot, sipas sondazhit më të fundit nga New York Times dhe Siena College.

Sondazhet treguan se Trump kryesonte me shtatë pikë përqindje në Arizona dhe Michigan, dhjetë në Georgia, tre në Pennsylvania dhe një diferencë të jashtëzakonshme prej dymbëdhjetë pikësh në Nevada.

Sondazhi është "plot me lajme të këqija për Biden-in, qoftë për abortin, ekonominë, Gazën dhe kështu me radhë", tha kryeanalisti politik i New York Times, Nate Cohn. "Forca e Trump-it vjen kryesisht falë fitimeve mes votuesve të rinj, të zinj dhe hispanikë," shtoi ai.

Amerikanët myslimanë ose arabë gjithashtu kanë favorizuar Trump-in duke "braktisur" demokratët, kryesisht për shkak të mbështetjes së Biden-it për ofensivën e Izraelit kundër Gazës. Votuesit që janë myslimanë ose me prejardhje nga Lindja e Mesme Lindore/Afrika Veriore (MENA) tani favorizojnë Trump-in 57% - 25% me 18% të paqëndrueshëm, sipas sondazhit; në vitin 2020, 56% favorizuan Biden-in dhe vetëm 35% e mbështetën presidentin e atëhershëm. 

"Kur u pyetëm votuesit arabë ose myslimanë që nuk e mbështetën z. Biden për çështjen më të rëndësishme në garë, rreth 70 për qind përmendën politikën e jashtme ose luftën në Gaza", vuri në dukje NYT.

Gati 4100 votues të regjistruar u anketuan midis 28 prillit dhe 9 majit. Sipas Cohn-it, përgjigjet e dhëna nga votuesit që dikur mbështetën Biden-in por tani po kthehen drejt Trump-it ishin "tipike: ekonomia, luftërat, emigracioni" dhe "skepticizëm ndaj Biden-it".

Përjashtimi i vetëm ishte Wisconsin-i, i programuar të presë konventën republikane në korrik, ku Biden dukej se ishte në avantazh me dy pikë.

Duke sugjeruar se problemi ishte me vetë Biden-in dhe jo me partinë, sondazhi tregoi se demokratët ishin në avantazh në garën për Senatin në Arizona, Nevada, Pennsylvania dhe Wisconsin. "Ndasia" ishte më e dukshme në Nevada, ku shumë votues potencialë të Trump-it thanë se mbështesnin senatoren Jacky Rosen, demokraten në detyrë, përballë një sfidanti hipotetik republikan. Partia Republikane pritet ta zgjedhë kandidatin e saj për Senatin atje në primaret e qershorit. 

New York Times e quajti këtë lajm të mirë për Biden-in, duke sugjeruar se "këta votues ende nuk i kanë braktisur plotësisht demokratët dhe mund të jenë ende të gatshëm të kthehen në krahun e tij".

Biden i fitoi të gjashta shtetet kyçe në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat Trump-i i kontestoi si të parregullta. Tani të dy janë gati për një betejë të re në nëntor, pasi nominimi i tyre të konfirmohet zyrtarisht në konventat e partive këtë verë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco