Turqia, 'numri dy' i paparashikueshëm i NATO-s

Turqia, 'numri dy' i paparashikueshëm i NATO-s

15:30, 22/04/2024

“As në të zezë, as në të bardhë, por në gri. Këtu qëndron marrëdhënia mes Turqisë dhe NATO-s”, thotë analistja politike Celine Nasi nga London School of Economics and Political Science për rolin e Turqisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Fakti që Turqia kërkon të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën ka bërë që vitet e fundit të parshtrohet pyetja nëse Ankaraja i mbetet besnike NATO-s. Rastet e shumta në të cilat Turqia ka përcaktuar diskursin e saj–si ndërhyrja ushtarake në Sirinë veriore në vitin 2018 ose bllokimi i Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me Aleancën–kanë ndezur debatin në Perëndim nëse Turqia i përket në të vërtetë Aleancës apo jo.

Ushtria e dytë më e madhe.

Për shkak të kërcënimit rus, Turqisë–si shumë shtete të tjera – duhej të braktiste qëndrimin e saj të neutralitetit pas Luftës së Dytë Botërore.

“Turqia është një vend me rëndësi unike për Aleancën,” shpjegon Zaur Gasimov nga Universiteti i Mainzit.

“Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe të Aleancës pas SHBA-së, ajo mbron krahun juglindor të Evropës ndërsa Turqia është shtëpia e të dy bazave ajrore më të rëndësishme, Incirlik dhe Iconium. Forcat ushtarake turke janë një nga ushtritë e pakta në NATO që kanë përvojë të drejtpërdrejtë luftarake. Përveç kësaj, Turqia po bëhet një partner gjithnjë e më i fuqishëm, duke zhvilluar teknologjinë e saj ushtarake”, thekson Gasimov.

Një trend ndërkombëtar

Ankaraja njihet  për vendosjen e vazhdueshme për të ecur para në rrugën e saj – kështu që lind pyetja nëse këto veprime të njëanshme janë në përputhje me anëtarësimin në NATO?

Sipas ekspertëve të pyetur nga DW, Turiqa është me të vërtetë një trend ndërkombëtar. “Autonomia strategjike është një term që Ankarasë i pëlqen shumë. Është fakt se vitet e fundit Turqia është bërë gjithnjë e më e pavarur në politikën e saj të jashtme. Dhe kjo do të vazhdojë”, vlerëson Nasi.

“Turqia nuk është i vetmi vend që merr gjithnjë e më shumë vendime vetë. Ky është rezultat i ndryshimit të ekuilibrave ndërkombëtarë dhe kalimit të pushtetit nga perëndimi në lindje. Prandaj të gjithë aleatët e SHBA-së sillen në mënyrë të ngjashme”, shpjegon eksperti.

Gasimov vëren një “emancipim” në politikën e jashtme turke gjatë dy dekadave të fundit dhe se gjërat kanë ndryshuar shumë në krahasim me epokën e Luftës së Ftohtë. “Turqia mund të jetë një anëtare aktive e NATO-s dhe në të njëjtën kohë të forcojë bashkëpunimin e saj me Rusinë. Unë nuk shoh asnjë tregues se ky model nuk mund të funksionojë.”

Nasi thekson se Perëndimi përfiton nga marrëdhëniet e mira të Turqisë me Rusinë, edhe pse ato kritikohen. “Duhet të komunikosh me dikë që nuk të pëlqen. Dhe kjo është arsyeja pse nevojitet një ndërmjetës. Marrëveshja e rëndësishme për Evropën për drithërat, për shembull, mund të zbatohet falë kontributit të Turqisë”.

Roli i Erdoganit

Arti i komunikimit luan një rol të rëndësishëm në mënyrën sesi aleatët e tjerë e shohin Turqinë. “Turqia e zhvilloi në një mënyrë shumë problematike diskutimin për hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO” , thotë Nasi .

“Në fund u krijua përshtypja se Turqia është një vend që çdo çështje të politikës së jashtme e sheh si objekt negocimi. Dhe në këtë Nasi identifikon një nga problemet më të mëdha të bashkëpunimit me Turqinë: “Kemi të bëjmë me një qeveri të paparashikueshme”.

Kjo çështje lidhet nga ana tjetër me përqendrimin e pushtetit brenda Turqisë. “Vendimet e politikës së jashtme u morën nga Erdogan dhe një pjesë e vogël e këshilltarëve të tij. Në pikën ku jemi tani, Erdogan është ai që vendos për gjithçka”, komenton Nasi.

Vitet e fundit janë shtuar zërat që kërkojnë përjashtimin e Turqisë nga NATO, ndërsa në Turqi janë të shumtë ata që konsiderojnë se qëndrimi në NATO nuk është alternativa e vetme e vendit. Për më tepër, Erdogani e ka parë me sy të mirë përfshirjen në “Organizatat e Bashkëpunimit të Shangait”, një aleancë e Kinës dhe Rusisë me synimin, ndër të tjera, edhe dobësimin e NATO-s.

Megjithatë, Nasi duket se nuk është dakord: “Nga dalja e Turqisë nga NATO nuk do të përfitonte asnjë  palë. Dhe në praktikë, Turqia nuk po tërhiqet as nga NATO. Në fund të fundit, ajo i përmbush të gjitha detyrimet ndaj aleatëve të saj” , thekson politologu.

Për më tepër, “të gjitha sistemet mbrojtëse të Turqisë janë në përputhje me NATO-n. Të gjitha armët, materialet luftarake, avionët. Turqia është plotësisht e integruar në NATO.

“Këtu e kemi të vështirë të ndryshojmë celularin nga iPhone në Android. Prandaj, nuk është e mundur të ndryshohet një sistem i tërë në nivelin e mbrojtjes ashtu si ai”, tha politologu./Deutsche Welle

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco