Shpenzimet ushtarake në Evropë, më të larta se në fund të Luftës së Ftohtë

Shpenzimet ushtarake në Evropë, më të larta se në fund të Luftës së Ftohtë

12:57, 22/04/2024

Shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë në të gjithë Evropën u rritën me 16% nga 2022 në 2023, me Poloninë në krye që e dyfishoi buxhetin e saj të armëve që nga viti 2014.
Shpenzimet ushtarake në Evropën Qendrore dhe Perëndimore janë tani më të larta se vitin e fundit të Luftës së Ftohtë. Kështu ka zbuluar një raport i ri.

Sipas të dhënave të reja të publikuara nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), Evropa ka parë një rritje të gjerë të shpenzimeve ushtarake që nga fillimi i vitit 2022, duke arritur në një total prej 552 miliardë euro në 2023.

Rritja është 16% më shumë sesa shpenzuan vendet në fjalë në vitin 2022 dhe 62% më shumë krahasuar me vitin 2014, ku shpenzimet ishin 330 miliardë euro.
Të gjitha, përveç tre vendeve anëtare evropiane të NATO-s – Greqia, Italia dhe Rumania –i  rritën shpenzimet e tyre ushtarake në vitin 2023.

Lorenzo Scarazzato, një asistent kërkimor nga SIPRI, shpjegoi për Euroneës se shpenzimet ushtarake në Evropë janë rritur çdo vit radhazi që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë.

Ky veprim fillestar dhe pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022 ka bërë që qeveritë në Evropë të rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes me një ritëm të paprecedentë.

“Nuk ka dyshim se në vitin 2023, shtytësi kryesor për rritjen e shpenzimeve ushtarake në Evropë vazhdoi të ishte pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia”, tha Scarazzato.

Tendenca e vendeve të Evropës Perëndimore dhe Qendrore në rritjen e buxheteve të tyre ushtarake është kryesisht si reagim ndaj një rritjeje të shpenzimeve ruse, sipas SIPRI.

Mbretëria e Bashkuar ishte shpenzuesi më i madh ushtarak në Evropë në vitin 2023, me blerjet e armëve që përbënin 2.3% të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco