Arratisja e një familjeje nga Koreja e Veriut përmes fushës së minuar dhe detit me stuhi

Arratisja e një familjeje nga Koreja e Veriut përmes fushës së minuar dhe detit me stuhi

12:21, 06/12/2023

Në fillim të këtij viti, Kim bëri një arratisje në dukje të pamundur nga Koreja e Veriut. Ai u arratis nëpërmjet detit me gjithë familjen e tij - gruan shtatzënë, nënën, familjen e vëllait dhe një urnë që mbante hirin e të atit.

Ata janë njerëzit e parë që kanë ikur nga ky vend këtë vit dhe kanë arritur në Korenë e Jugut. 

Kur Covid goditi, qeverinë e Koresë së Veriut e zuri paniku dhe e mbylli vendin nga pjesa tjetër e botës, duke mbyllur kufijtë e saj dhe duke ndërprerë tregtinë. Dezertimet, dikur mjaft të zakonshme, praktikisht pushuan.

Kim i tha BBC-së se si e organizoi këtë arratisje kaq të jashtëzakonshme, intervista e parë kjo me një dezertor që kishte ikur që nga pandemia. Ai zbuloi hollësi të reja për jetën në vend, duke përfshirë rastet e njerëzve që vdisnin nga uria dhe represioni në rritje. Ai na kërkoi që të mos përdorim emrin e tij të plotë, për të ndihmuar në mbrojtjen e familjes së tij në Seul dhe atë që kishte mbetur në veri.

BBC nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur të gjithë rrëfimin e Kim, por shumë nga detajet përputhen me atë që na është thënë nga burime të tjera.

Nata e arratisjes ishte me erëra. Erërat e forta frynë nga jugu, duke sjellë një stuhi me vete. E gjithë kjo ishte pjesë e planit të Kim. Deti i trazuar do të detyronte çdo anije vëzhgimi të tërhiqej, shpresonte ai.

Ai e kishte ëndërruar këtë natë prej vitesh, duke e planifikuar me përpikëri për muaj të tërë, por kjo nuk e zbuti frikën e tij.

Fëmijët e vëllait të tij ishin në gjumë, të mposhtur nga pilulat e gjumit që u kishte futur në ushqim. Ai dhe vëllai i tij tani duhej t'i kalonin nëpër një fushë të minuar në errësirë, deri tek varka e tyre e arratisjes që ishte ankoruar fshehurazi. Ata u ngjitën së bashku, të kujdesshëm për të shmangur prozhektorët e rojeve.

Pasi arritën në varkë, i fshehën fëmijët në thasë të vjetër gruri, duke i maskuar që të dukeshin si thasë me vegla. 

Image

Kështu, familja u nis për në Korenë e Jugut: burrat të armatosur me thika, gratë me helm. Secila shtrëngonte një shishkë të mbushur me pluhur speci djegës dhe rërë të zezë, për t’ia hedhur në fytyrat e rojeve bregdetare nëse do të ndodhte një konfrontim.

Motori i tyre gjëmonte, por gjithçka që Kim mund të dëgjonte ishte zemra e tij që buçiste. Një gabim tani dhe ata të gjithë mund të ekzekutoheshin.

Kur BBC e takoi zotin Kim në periferi të Seulit muajin e kaluar, ai shoqërohej nga një oficer policie me rroba civile - një masë tipike sigurie për të larguarit së fundi. Kishin kaluar vetëm disa javë që kur ai dhe familja e tij u liruan nga qendra e zhvendosjes në të cilën dërgohen koreano-veriorët pas mbërritjes në Korenë e Jugut.
"Ka pasur shumë vuajtje," tha ai, ndërsa filloi të rrëfente katër vitet e fundit.

Në ditët e para të Covid-19, njerëzit ishin "shumë të frikësuar", tha ai. Shteti transmetoi imazhe të njerëzve që vdisnin në të gjithë botën dhe paralajmëroi se nëse nuk ndiqeshin rregullat, i gjithë vendi mund të zhdukej. Disa njerëz madje u dërguan në kampe pune sepse thyen rregullat për Covid, tha ai.

Kur raportohej një rast i dyshuar, rojet do të karantinonin të gjithë fshatin, tha ai. Të gjithë do të mbylleshin dhe zona do të mbyllej, duke i lënë ata brenda me pak ushqim ose aspak për të ngrënë.

"Pasi i kishin torturuar njerëzit nga uria për një kohë, qeveria do të sillte kamionë me furnizime ushqimore. Ata pretendonin se po e shisnin ushqimin me çmim të ulët, kështu që njerëzit do t'i lavdëronin - si të vuajë nga uria fëmijën juaj, i jep një sasi të vogël ushqimi e kështu që do ta falenderosh"

Kim tha që njerëzit filluan të pyesin nëse kjo ishte pjesë e strategjisë së shtetit për të përfituar nga pandemia.

Ndërsa më shumë njerëz i mbijetuan Covid-it, ata filluan të mendojnë se shteti i kishte ekzagjeruar rreziqet, tha ai. "Tani shumë besojnë se ishte vetëm një justifikim për të na shtypur."

Ishin mbylljet e kufijve që shkaktuan dëmet më të rënda, tha ai.

Furnizimet ushqimore në Korenë e Veriut kanë qenë prej kohësh të pasigurta, por duke hyrë më pak në vend, çmimet shkuan në qiell, tha ai, duke e bërë jetën e të gjithëve "shumë më të vështirë". Në pranverën e vitit 2022, ai vuri re se situata po përkeqësohej më tej.

"Për shtatë apo tetë vjet nuk u fol shumë për urinë, por më pas filluam të dëgjojmë shpesh për raste," tha ai. "Do të zgjoheshe një mëngjes dhe do të dëgjoje: "Oh, dikush në këtë rreth ka vdekur nga uria". Të nesërmen në mëngjes, do të merrnim një raport tjetër."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco