Rusia kritikon Bullgarinë për devijimin e fluturimit të Lavrovit

Rusia kritikon Bullgarinë për devijimin e fluturimit të Lavrovit

10:50, 30/11/2023

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e akuzoi Bullgarinë për “budallallëk” për shkak se Sofia refuzoi që avioni me të cilin po udhëtonte kryediplomati rus, Sergei Lavrov, të mos kalonte në hapësirën ajrore bullgare.

Në orët e para të 30 nëntorit, Lavrov arriti në Maqedoni të Veriut për të marrë pjesë në një samit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Paraprakisht, Shkupi dhe Sofja pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, me qëllim që Lavrovit t’i mundësohet pjesëmarrja në samit.

Si përfundim, avioni i Lavrovit u detyrua që të udhëtonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut.

Zakharova, që është nën sanksione të BE-së, tha se prania e saj në bordin e avionit ishte arsyeja që Bullgaria refuzoi kalimin mbi hapësirën e saj.

“Ky budallallëk i rusofobisë arriti deri në pikën, që për herë të parë në historinë tonë, autoritetet të ndalojnë jo avionin, por personin që gjendet në të”, shkroi ajo në Telegram, duke sugjeruar se Rusia mund të vendosë ndalesa të ngjashme të fluturimeve “për mijëra funksionarë të NATO-s”, dhe tha se Bullgaria “krijoi një precedent të rrezikshëm”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë konfirmoi lajmin se nuk ka lejuar avionin e Lavrovit të kalonte mbi japësirën bullgare.

Kjo ministri tha se leja e dhënë vlente vetëm për anëtarët e delegacionit të Lavrovit, në mesin e të cilëve ka edhe persona të sanksionuar nga BE-ja.

“Leja i është dhënë ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup dhe është përfshirë në përjashtimet nga zbatimi i regjimit të sanksioneve të BE-së ndaj tij. Leja e dhënë nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë edhe persona të sanksionuar, sipas ligjit në fuqi të BE-së, që shprehimisht thuhet në përgjigjen e palës bullgare”, u tha në reagimin e MPJ-së bullgare.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj fluturimeve ruse për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Pjesëmarrja e Lavrovit në samitin dyditor në Shkup ka shkaktuar reagime të shumta, dhe kundërshtarët e pranisë së tij kanë thënë se Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.

Në mbrëmjen e 28 nëntorit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, morën pjesë në një darkë joformale në Shkup.

Ata më pas u larguan nga Maqedonia e Veriut, duke shmangur kështu praninë e tyre në një ngjarje ku merr pjesë edhe Lavrovi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.

Por, komente mbi pjesëmarrjen e diplomatit rus bëri përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjithashtu pjesëmarrës në darkën joformale të Këshillit Ministror të OSBE-së.

Borrell tha se “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit”.

Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco