Një burrë plagos me sëpatë katër persona në disa restorante kineze në Zelandë të Re

Një burrë plagos me sëpatë katër persona në disa restorante kineze në Zelandë të Re

10:26, 20/06/2023

Një burrë sulmoi me sëpatë disa mysafirë të restoranteve kineze në Zelandë të Re, duke plagosur katër persona, thanë policia dhe dëshmitarët.

Sipas policisë, burri e filloi sulmit të hënën rreth orës 21 në zonën periferike veriore të qytetit Auckland, Albany, raporton agjencia “Associated Press”.

Policia arrestoi një të dyshuar 24-vjeçar në vendin e ngjarjes dhe e akuzoi atë për plagosje me qëllim të shkaktimit të lëndimit të rëndë trupor. I dyshuari, shtetas kinez, pati një paraqitje të shkurtër në një gjykatë të martën. Policia nuk përmendi menjëherë një motiv për sulmin, por tha se nuk ka dëshmi se rasti ishte i motivuar në aspektin racor.

Spitali i Qytetit në Auckland tha të martën se një pacient nga sulmi mbetet aty në gjendje stabile. Spitali “North Shore” tha se kishte një pacient me lëndime të mesme dhe një tjetër me lëndime të lehta dhe se të dy ishin në gjendje stabile, ndërsa më herët kishte liruar një pacient tjetër.

Një mysafir i tha gazetës “New Zealand Herald” se ishte duke ngrënë darkë me një mik, kur burri hyri brenda dhe filloi ta sulmonte mikun e tij, i cili u lëndua seriozisht.

“Isha në shok. Kur mora vesh se çfarë po ndodhte, ai u mundua që të më shënjestronte mua. Ia bllokova sëpatën me dorën time. Ai po mundohej ta shënjestronte edhe kokën time, prandaj e bllokova sëpatën me dorën time”- tha mysafiri i restorantit, duke kërkuar që të mos i publikohej emri.

Mysafiri tha se burri me sëpatë i ndoqi edhe jashtë restorantit dhe më pas u kthye dhe hyri në një restorant tjetër.

Policia tha se pret që të paraqesë më shumë akuza kundër të dyshuarit, për të cilin tha se beson që ka vepruar i vetëm. Forcat e sigurisë e shtuan praninë në zonën përreth restoranteve të martën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco