SHBA: Irani i jep Rusisë dronë

SHBA: Irani i jep Rusisë dronë

13:09, 16/05/2023

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Rusia po kërkon të blejë dronë të avancuar nga Irani për t'i përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës, pasi përdori shumicën e 400 dronëve që kishte blerë më parë nga Teherani.

Administrata e Presidentit Biden vitin e kaluar publikoi imazhet satelitore dhe gjetjet e shërbimeve të zbulimit që tha se tregonin se Irani i kishte shitur Rusisë qindra dronë.

Dhe për muaj të tërë, zyrtarët kanë thënë se Shtetet e Bashkuara besonin se Irani po konsideronte t'i shiste qindra raketa balistike Rusisë, por Uashingtoni nuk kishte prova se për këtë ishte arritur një marrëveshje.

“Irani gjithashtu vazhdon t'i ofrojë Rusisë dronë ushtarakë. Që nga gushti, Irani i ka ofruar Rusisë më shumë se 400 dronë, kryesisht të llojit Shahed”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

“Rusia ka shpenzuar shumicën e këtyre dronëve për të sulmuar infrastrukturën kritike të Ukrainës. Duke i ofruar Rusisë këta dronë, Irani ka ndihmuar drejtpërdrejt agresionin e Rusisë në Ukrainë”, u tha Kirby gazetarëve.

Dronët Shahed që Rusia tashmë i ka blerë janë të mbushur me eksplozivë dhe janë të programuar të fluturojnë lart derisa të arrijnë objektivin e tyre.

Kirby tha se rusët tani synojnë të blejnë dronë edhe më të avancuar dhe "shumë më vdekjeprurës".

Zyrtarët amerikanë thonë se Irani i ka ofruar Rusisë gjithashtu armë artilerie dhe municion tankesh për luftën e saj kundër Ukrainës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco