Rusia ka kryer shumë krime lufte në Ukrainë, thotë një hetim i mbështetur nga OKB

Rusia ka kryer shumë krime lufte në Ukrainë, thotë një hetim i mbështetur nga OKB

18:14, 16/03/2023

Rusia ka kryer një sërë krimesh lufte gjatë luftës së saj në Ukrainë, sipas një komisioni të Kombeve të Bashkuara.

Vendi ka ‘kryer një gamë të gjerë shkeljesh të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar’ në Ukrainë, sipas një raporti nga Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit për Ukrainën, të publikuar të enjten, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Raporti pretendon se krimet e luftës të kryera nga rusët përfshinin ‘sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës së lidhur me energjinë, vrasje me dashje, tortura, përdhunime, si dhe transferime dhe dëbime të paligjshme të fëmijëve’.

Raporti gjithashtu dokumentoi një numër të vogël shkeljesh të kryera nga forcat ukrainase, ‘përfshirë sulme të mundshme pa dallim dhe dy incidente të cilësuara si krime lufte, ku të burgosurit rusë të luftës u qëlluan, u plagosën dhe u torturuan’, sipas një deklarate të OKB-së.

Ndryshe, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka thënë se po planifikon të hapë dy raste të krimeve të luftës të lidhura me pushtimin rus të Ukrainës dhe të lëshojë urdhër-arreste kundër ‘disa personave’, sipas The New York Times dhe Reuters, duke cituar ish-zyrtarë dhe disa aktualë me dijeni të vendimit të cilët nuk ishin të autorizuar të flasin publikisht.

Ndërkohë në shkurt, qeveria amerikane tha se kishte përcaktuar se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit.

Ndërsa në mars të vitit 2022, qeveria amerikane deklaroi se anëtarët e forcave të armatosura ruse kishin kryer krime lufte në Ukrainë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco