Mbi 190 të vdekur nga Stuhia ‘Freddy’

Mbi 190 të vdekur nga Stuhia ‘Freddy’

17:18, 14/03/2023

Të paktën 190 njerëz janë konfirmuar të vdekur në Malavi pasi stuhia tropikale ‘Freddy’ goditi Afrikën jugore për herë të dytë brenda një muaji.

Sasi të tmerrshme uji kanë qarkulluar nëpër lagje, duke përmbytur shtëpitë. Qendra tregtare e Malavi, Blantyre, ka regjistruar shumicën e vdekjeve, 158 prej tyre.

Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në 10 rrethe jugore që janë goditur më rëndë nga stuhia. Punonjësit e shpëtimit janë të mbingarkuar dhe po përdorin lopata për të gjetur të mbijetuar që mund të ndodhen në baltë.

 ‘Lumenjtë po vërshojnë, kemi njerëz që janë rrëmbyer nga ujërat dhe ndërtesa që po shemben’, tha zëdhënësi i policisë Peter Kalaya për BBC.

Agjencia qeveritare e ndihmës ndaj fatkeqësive tha se numri i të vdekurve ishte rritur nga 99 të hënën në 190, ndërsa rreth 584 njerëz u plagosën dhe 37 ishin ende të zhdukur.

Ndërkohë më shumë se 20,00 njerëz janë zhvendosur. Zyrtarët në spitalin kryesor në Blantyre thanë se nuk mund të përballonin numrin e madh të trupave që po merrnin. Ata i bënë thirrje familjeve të viktimave që të mbledhin kufomat për varrim pasi morgut po i mbarojnë kapacitetet.

Numri i të vdekurve pritet të rritet pasi disa zona mbeten të bllokuara për shkak të shiut dhe erës së fortë. Stuhia ka dëmtuar gjithashtu furnizimin me energji elektrike në Malavi, me shumicën e pjesëve të vendit që përjetojnë ndërprerje të zgjatura.

Komunitetet e varfëra me popullsi të dendur, që jetojnë në shtëpi me tulla dhe baltë, janë goditur më rëndë. Disa nga këto shtëpi janë shembur dhe përmbytur, ndërsa të tjerat janë zhdukur tërësisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco