Blinken thirrje rivalëve, i kërkon Greqisë dhe Turqisë të shmangin tensionet

Blinken thirrje rivalëve, i kërkon Greqisë dhe Turqisë të shmangin tensionet

15:50, 21/02/2023

Pas ndalesës në Turqi, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po qëndron për një vizitë dyditore në Athinë.

Shefi i diplomacisë amerikane u bëri thirrje dy vendeve rivale, Greqisë dhe Turqisë, të angazhohen në diplomaci për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të shmangur veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.

 

Dy aleatët e NATO-s kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh si të drejtat për kërkimin e naftës dhe gazit në Egje, hapësirën ajrore dhe ishullin e Qiprons të ndarë në vija etnike. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u kërkoi sot aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, të zbusin retorikën kundër njëra tjetrës, ndërsa zgjedhjet kombëtare në të dyja vendet po afrojnë.

Thirrja e zotit Blinken vjen në kuadër të përpjekjeve për të forcuar unitetin në aleancën transatlantike, ndërsa po afrohet përvjetori i parë i sulmit rus kundër Ukrainës.Sekretari Blinken u takua me udhëheqësit grekë në Athinë pas një ndalese në Turqi, ku ai vizitoi rajonet më të goditura nga tërmeti vdekjeprurës.“Është thellësisht në interesin tonë dhe besoj edhe në interesin e Greqisë dhe Turqisë, që të gjejnë mënyra për të zgjidhur mosmarrveshjet e vjetra, përmes dialogut, diplomacisë dhe në mënyrë paqësore, duke mos ndëmarrë asnjë veprim të njëanshëm. Çdo retorikë e ngarkuar do t’i bënte gjërat më të vështira dhe më sfiduese”, tha ai.

Zyrtarët në Greqi dhe Turqi u shprehën të gatshëm të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e vjetra mbi kufijtë detarë në Mesdheun lindor, pas tërmetit shkatërrues, që shkaktoi vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve në Turqi dhe Siri.Për shumë vite, dy vendet fqinje kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë kufijtë e Detit Egje dhe hapësirës ajrore, të drejtat e kërkimit për naftë dhe gaz dhe ishullin e ndarë të Qipros.

Por marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan së fundmi kur Greqia dërgoi ndihma dhe ekipe të shpëtimit për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit vdekjeprurës.Zoti Blinken tha se shpreson se situata e krijuar do të sjell një mundësi për rikthimin e të dyja palëve në diplomaci.

Greqia pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare në prill, ndërsa Turqia zgjedhjet e përgjithshme në qershor.

“Të dyja vendet po shkojnë drejt zgjedhjeve. Kjo sigurisht ndonjëherë nxit përfshirjen në një retorikë që mund të krijojë më shumë probleme”, paralajmëroi zoti Blinken.

Raundi i fundit i bisedimeve midis dy vendeve u zhvillua në Uashington më 2021.Në konferencën e tij në Athinë zoti Blinken u pyet edhe nëse Shtetet e Bashkuara do ta dekurajojnë Izraelin nga ndërmarrja e veprimeve ushtarake që kanë për synim të parandalojnë Iranin të prodhojë armë bërthamore.

“Vendet do të marrin vendime sovrane për sigurinë e tyre dhe kjo nuk ndryshon në rastin e Izraelit apo të ndonjë vendi tjetër. Ne nuk mund t’i marrim vendimet për ta”, u përgjigj zoti Blinken.

Zoti Blinken tha se mënyra më efektive për t’u përballur me sfidën që paraqet programi bërthamor i Iranit është diplomacia, megjithëse shtoi se për momentin këto përpjekje janë bllokuar, sepse Irani vazhdon të mos jetë i angazhuar në një mënyrë kuptimplotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco