Kina e ka gati pretekstin e ri për sulmet e ardhshme, thotë ministri i Jashtëm i Tajvanit

Kina e ka gati pretekstin e ri për sulmet e ardhshme, thotë ministri i Jashtëm i Tajvanit

08:19, 12/12/2022

Qeveria e Tajvanit beson se Kina po përgatitet të gjejë një tjetër “pretekst për të praktikuar sulmin e tyre të ardhshëm” në ishull.

Kështu ka deklaruar ministri i saj i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, gjatë një interviste me britaniken “The Guardian”.

Wu sugjeroi gjithashtu se komunikimet ndërmjet ngushticave mund të zvogëlohen edhe më shumë tani që Xi Jinping ka siguruar mandatin e tij të tretë.

Ai tha se kërcënimi ushtarak kinez po “bëhej më serioz se kurrë”, me një rritje pesëfish të inkursioneve të avionëve luftarakë në zonën e mbrojtjes së Tajvanit që nga viti 2020.

Periudha më serioze e aktivitetit ushtarak kinez ishin ushtrimet e gushtit, të organizuara pasi kryetarja e Shtëpisë së SHBA-ve, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin.

Zyrtarët kinezë thanë se stërvitjet, të cilat përfshinin lëshimin e raketave, ishin një taktika e bllokadës që një ditë do t’i përdornin realisht kundër Tajvanit.

Analistët vunë në dukje se shkalla e stërvitjeve sugjeronte se ato mund të ishin planifikuar prej kohësh dhe vizita e Pelosit thjesht i dha Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (PLA) një pretekst politik.

“Dhe ne jemi mjaft të sigurt se kinezët mund të duan të përdorin një pretekst tjetër për të praktikuar sulmet e tyre të ardhshme kundër Tajvanit. Pra, ky është një kërcënim ushtarak kundër Tajvanit”, tha Wu.

Ministri theksoi se nuk ishin vetëm përpjekjet ushtarake të Kinës që po rriteshin, por një “kombinim presionesh”, duke përfshirë detyrimin ekonomik, sulmet kibernetike, luftën njohëse dhe ligjore dhe përpjekjet diplomatike për ta izoluar Tajvanin ndërkombëtarisht.

Me numrin në rritje të inkursioneve ushtarake në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit – nga 380 avionë luftarakë kinezë në vitin 2020 në më shumë se 1 mijë e 500 tashmë këtë vit – ekziston një rrezik në rritje i aksidenteve që mund të çojnë në përshkallëzime.

Wu tha se Tajvani kishte mbajtur më parë disa linja komunikimi nëpërmjet biznesmenëve dhe akademikëve tajvanezë që kishin “lidhje të mira me palën kineze”.

Por që kur Xi u riemërua për një mandat të tretë në Kongresin e 20-të të Partisë, ka pasur një spastrim të madh në radhët e partisë dhe ato dyer janë mbyllur.

“Ai është lideri kryesor dhe askush tjetër nuk e sfidon atë tani”.

Në përgjigje të kërcënimit në rritje të pushtimit nga Kina, qeveria e Tajvanit i ka kaluar vitet e fundit duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare midis “demokracive me mendje të ngjashme”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco