Gjykatësi që dënoi me 57 vjet burg 3 shqiptarët që përdhunuan të renë britanike: Pati një shkallë të lartë poshtërimi

Gjykatësi që dënoi me 57 vjet burg 3 shqiptarët që përdhunuan të renë britanike: Pati një shkallë të lartë poshtërimi

22:22, 09/07/2022

Tre shqiptarë të cilët përdhunuan një vajzë të re në Bedford të Britanisë së Madhe u dënuan nga gjykata më 57 vjet heqje lirie. Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 Shtator të vitit të shkuar. 23-vjeçarja kishte dalë me mikeshën e saj për të shijuar natën e parë jashtë pas heqjes së kufizimeve të Covid. Ajo u nda nga mikesha e saj dhe po largohej për në shtëpi, kur 31-vjeçari Genti Hyka, i cili e kishte piketuar gjatë kohës që ndodheshin brenda klubit, e mori në makinë dhe e çoi në një adresë në qendër të qytezës ku e përdhunoi.

Image
Genti Hyka

Dy bashkëpunëtorët e tij, Vullnet Haka, 33 vjeç dhe Ibrahim Bezati, 36 vjeç, iu bashkuan më pas dhe e përdhunuan po ashtu të renë. Gjatë ngjarjes së rëndë, 23-vjeçarja u rrah dhe u detyrua nga tre shqiptarët të merrte kokainë.

Siç raporton DailyMail, teksa dha dënimin, gjykatësi Steven Evans tha se ata e kishin trajtuar të renë në mënyrën më ç’njerëzore të mundshme.

23-vjeçarja arriti të ikte nga banesa në mëngjes dhe u gjet në gjendje të rënduar nga një kalimtar. Teksa dha dëshminë e saj para gjykatës, ajo tha se nuk e mbante mend momentin kur ishte larguar nga klubi, pasi kishte qenë në gjendje të dehur. “Iu luta të më linin të shkoja. Isha konfuze dhe e frikësuar”, tha ajo.

Genti Hyka u dënua me 26 vjet burg, për akuzën e rrëmbimit, heqjes së paligjshme të lirisë dhe përdhunimit.

Image
Vullnet Haka dhe Ibrahim Bezati

Vullnet Haka dhe Ibrahim Bezati u dënuan për akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë dhe përdhunimit. Gjykata dha 14 vjet burg për Hakën dhe 17 vjet burg për Bezatin.

Para gjykatës Hyka pretendoi se kur kishin shkuar në shtëpi ajo kishte rënë dakord për të kryer marrëdhënie seksuale. “Ajo nuk qau në asnjë moment kur ishte me mua. Nuk e kam bërë. Nuk jam përdhunues”, tha ai. 31-vjeçari mohoi të kishte folur shqip me dy personat e tjerë dhe të kishin qeshur me të renë.

Pasi dha dënimet, gjykatësi tha se me gjasë Hyka e përdhunoi 23-vjeçaren para se të shkonin dy shqiptarët e tjerë. “Në momentin që ata mbërritën, ata e detyruan që të merrte kokainë dhe të pinte alkool në mënyrë që t’i bindej. Krijuan një atmosferë frike dhe nënshtrimi. E qëlluan me shuplaka dhe e detyruan që të merrte kokainë. Pati një shkallë të lartë poshtërimi”.

Ndërsa detektivja Hannah Latton tha: “Ky ishte një rast shumë i rëndë, ku viktima u shënjestrua nga këta meshkuj, u dërgua në një pronë ku u mbajt me forcë dhe u përdhunua në mënyrë të përsëritur”.

“Fatmirësisht incidente të tilla janë tepër të rralla, por përfundimi duhet të shërbejë si një lloj sigurie për këdo që ka kaluar një traumë nga përdhunimi, apo sulme serioze seksuale. Ne do t’ju besojmë dhe do bëjmë gjithçka mundemi për t’i sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve”.

“Viktima tregoi guxim të madh duke u përballur me agresorët e saj në sallë të gjyqit, ndonëse ata patën pafytyrësinë t’i mohonin akuzat, duke ia bërë më të vështirë gjithë këtë ngjarje dhe duke bërë që ta rijetonte incidentin gjatë gjyqit. Dëshmia e saj ishte thelbësore për t’u siguruar që këta persona të qëndrojnë pas hekurave për një kohë të konsiderueshme”, tha detektivja mes të tjerash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco