VIDEO/ 'Shinzo Abe': Momenti kur ish-kryeministri japonez u qëllua pas shpine nga një ish-ushtarak

VIDEO/ 'Shinzo Abe': Momenti kur ish-kryeministri japonez u qëllua pas shpine nga një ish-ushtarak

08:29, 08/07/2022

Komuniteti botëror është tronditur nga sulmi i armatosur ndaj ish-kryeministrit të Japonisë pak orë më parë në qytetin Nara, ndërsa shumë media ndërkombëtare shprehin frikën se politikani 67-vjeçar tashmë ka vdekur.

Departamenti i zjarrfikësve në Nara (në Japoninë perëndimore) konfirmoi se   Shinzo Abe  , i cili u qëllua nga një burrë i armatosur me pushkë në shpinë ndërsa politikani po mbante një fjalim fushate në një zonë të hapur, nuk kishte shenja jetësore dhe ishte në gjendje “arresti kardiopulmonar”, kur një ambulancë e dërgoi në spital.

Një zëdhënës i qeverisë japoneze tha se zoti Abe u sulmua nga personi i armatosur rreth orës 11:30 të mëngjesit (me orën lokale). 

Burri që qëlloi ndaj politikanit – kryeministri më jetëgjatë i Japonisë (2006-2007, 2012-2020) – është arrestuar dhe arma që ai përdori është sekuestruar nga policia, thanë mediat. 

Bëhet fjalë për një 42-vjeçar , sipas informacioneve të para, ish-ushtarak. 

Ish-kreu i qeverisë ishte duke mbajtur një fjalim përpara zgjedhjeve të Senatit të së dielës kur u qëllua, sipas transmetuesit publik japonez NHK dhe agjencisë së lajmeve Kyodo.

Shinzo Abe u rrëzua i gjakosur nga gjoksi dhe qafa, tha një burim i afërt me fraksionin e tij, Partinë Liberal Demokratike (LDP), për agjencinë e lajmeve Jiji. 

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida , ka njoftuar se po nxiton të kthehet në kryeqytetin e vendit, Tokio, duke ndërprerë fushatën e tij zgjedhore, pasi një person i armatosur sulmoi paraardhësin e tij dhe një anëtar aktual të partisë së tij, njoftuan mediat japoneze. 

Informacioni se "ish-kryeministri Abe (...) është në një gjendje arresti kardio-respirator" u raportua për herë të parë nga NHK, duke përdorur terminologjinë e autoriteteve japoneze kur vdekja thjesht mbetet për t'u deklaruar nga një mjek. 

Ambasadori amerikan në Japoni, Rahm Emanuel, shprehu sot “trishtimin”, duke shtuar se ishte “i tronditur” nga sulmi i një personi të armatosur kundër ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe gjatë fjalimit të tij në fushatë. 

“Ne të gjithë jemi të pikëlluar dhe të tronditur nga sulmi me plumb ndaj ish-kryeministrit Abe Shinzo. Abe-san ka qenë një udhëheqës i shquar i Japonisë dhe një aleat i vendosur i SHBA-së. Qeveria amerikane dhe populli amerikan luten për mirëqenien e Abe-san, familjes së tij dhe popullit japonez”, tha zoti Emanuel në një deklaratë për shtyp që lëshoi. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco