Gjenerali i lartë amerikan nën hetim për fushatë të paligjshme lobimi për Katarin

Gjenerali i lartë amerikan nën hetim për fushatë të paligjshme lobimi për Katarin

13:44, 09/06/2022

Institucioni prestigjioz Brookings ka vendosur presidentin e tij John Allen, Gjeneral Marine me katër yje në pension, në leje administrative në mes të një hetimi federal mbi rolin e tij në një fushatë të paligjshme lobimi në emër të Katarit.

Njoftimi i Brookings erdhi një ditë pasi agjencia Associated Press raportoi për padi të reja gjyqësore që tregojnë se FBI ka sekuestruar së fundmi të dhënat elektronike të Allen si pjesë e hetimit dhe ka detajuar përpjekjet e tij në prapaskenë për të ndihmuar Katarin të influenconte në politikën amerikane më 2017, kur shpërtheu një krizë diplomatike midis monarkisë së pasur me naftë dhe fqinjëve të saj.

Allen, i cili komandoi forcat e SHBA dhe të NATO-s në Afganistan para se të merrte drejtimin e Brookings më 2017, nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale. Zëdhënësi i tij, Beau Phillips, tha të mërkurën se Allen nuk ka bërë asgjë të paligjshme apo të gabuar.

“Gjatë dekadave në shërbim të publikut në luftë e diplomaci, Gjeneral Allen ka fituar reputacion të pakrahasueshëm për ndershmëri e pastërti”, tha Phillips në një deklaratë. “Po presim korrigjimin e të gjitha gjërave false të thëna për Gjeneral Allen, të cilat janë publicizuar në mënyrë të papërshtatshme”.

Brookings i bëri të ditur personelit se vetë instituti nuk është nën hetim dhe zëvendëspresidenti Ted Gayer do të shpërbejë si president i komanduar.

Brookings e ka paguar Allen mbi 1 milion dollarë në vit sipas të dhënave nga zyra e taksave. Emaili drejtuar personelit nuk thoshte nëse ai do të vazhdonte të paguhej gjatë periudhës së lejes.

Puna e Allen në prapaskenë përfshin udhëtime në Katar dhe takime me zyrtarët më të lartë të vendit për t’i këshilluar si të ndikonin në politikën amerikane dhe si të promovonin pikëpamjet e Katarit te zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë e të Kongresit.

Ambasada e Katarit në SHBA nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Brookings është një nga institutet think tank më influencues në SHBA dhe ka lidhje të vjetra e të forta me Katarin. Më 2007, Ministria e Jashtme e Katarit ra dakord të financonte një degë të Brookings në Katar, me emrin Brookings Doha Center.

Qeveria e Katarit tha në një deklaratë për shtyp më 2012 se roli i qendrës ishte “pasqyrimi i imazhit të shkëlqyer të Katarit në median ndërkombëtare, sidomos në atë amerikane”. Sipas New York Times, Katari ka dhënë 14.4 milion dollarë për Brookings në formë donacionesh për katër vjet.

Si OJQ, Brookings nuk është i detyruar të deklarojë donacionet, por ka zbuluar vullnetarisht disa të dhëna. Raportet vjetore tregojnë se Katari i ka dhënë të paktën 2 milion dollarë në vit nga 2016 deri më 2021.

Brookings tha në një deklaratë se Allen vendosi më 2019 të ndalonte marrjen e donacioneve të reja nga Katari dhe ta mbyllte Brookings Doha Center.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco