Janullatos dënon luftën vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës: Dashuria është antidoti!

Janullatos dënon luftën vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës: Dashuria është antidoti!

08:38, 21/04/2022

Anastas Janullatos, Kryepeshkopi ortodoks i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, ka përcjellë sot mesazhin e Pashkëve të vitit 2022 ku flet në veçanti për luftën vëllavrasësë të Rusisë kundër Ukrainës.

KryepeshkopiJanullatos shpreh besimin e fortë se "dashuria do ta mposhtë përfundimisht urrejtjen."

"Krishti u ngjall! - shprehet Janullatos. - Dashuria do të triumfojë përfundimisht, duke na e lehtësuar dhimbjen dhe plagët. Këtë mesazh ngushëllues na përçon në mënyrë diakronike e kremtja shkëlqimprurëse e Ngjalljes së Krishtit....

...Në ditët tona, kur hidhërimi, dhembja dhe pështjellimi, për shkak të luftës vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës, e kanë përmbytur mendimin dhe shpirtin tonë, ndoshta duket e çuditshme që t’i referohemi dashurisë. Lufta agresive përbën cenimin dhe mohimin më tragjik e mizor të saj. Por, në këto kushte të dhimbshme është e natyrshme që vëmendja jonë, duke kërkuar rrugëdalje, të kthehet drejt vlerave themelore të besimit tonë. Njëkohësisht me dënimin e krimeve, mbi të gjitha, është urgjente që të fuqizohet brenda dhe përreth nesh fuqia e dashurisë që kapërcen çdo mendje. Vetëm kjo mund të mposhtë përfundimisht fuqinë arrogante të pushtetit dhe të sigurojë lidhjen tonë me Perëndinë e paqes dhe të pajtimit.

 “Njeriu që fitoi dashurinë, fitoi vetë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri”, na thotë shën Maksim Konfesori (Kapitujt rreth dashurisë, 4’,100).

Sot, shpesh dëgjojmë urimin që të jemi në anën e duhur të historisë. Urimi ngjallësor na nxit të jemi gjithmonë në anën e dashurisë, siç Krishti na e zbuloi me anë të mësimit, jetës, sakrificës dhe Ngjalljes së Tij. Dashuria është antidoti i egocentrizmit – etnik, racor, fetar – i cili e helmon bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe të popujve.

Dashuria shprehet si lëvizje mistike e Perëndisë për te njeriu dhe e njeriut për te Perëndia dhe njerëzit e tjerë. Ajo i mban në kohezion të gjitha qeniet logjike; është energji Perëndie që nuk mund të shpërbëhet. Shpresa kryqngjallësore se dashuria do të fitojë përfundimisht, le të ngushëllojë dhe paqtojë shpirtin tonë." nënvizon mes të tjerash Janullatos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco