Politika e jashtme gjermane e pasuesit të Merkel

Politika e jashtme gjermane e pasuesit të Merkel

18:00, 21/05/2021

Armin Lashetit, kryetarit të partisë së kancelares Merkel, CDU dhe kandidatit për kancelar të CDU/CSU-së i drejtohej në fjalimin e tij, si elektoratit gjerman, ashtu edhe botës.

CDU-ja, nuk e ka paraqitur ende programin zgjedhor. Kështu që pozicionimet e Laschet-it në politikën e jashtme mund të shihen edhe si hapi i parë në programin zgjedhor të kësaj partie.

Në fjalën që mbajti në Fondacionin Konrad Adenauer, Armin Laschet-i, u përqëndrua në temat që u interesojnë aktualisht gjermanëve në politikën e jashtme: në raportin e Gjermanisë me Bashkimin Evropian dhe botën pas pandemisë; në qëndrimin ndaj Rusisë dhe Kinës; në investimet ushtarake të Gjermanisë.

Si politikan i Realpolitikës, Laschet-i ndihet komod në këto tema edhe ndaj Të Gjelbërve, të cilët nuk janë të lirë nga kornizat ideologjike. Në politikën e jashtme ai ka mundësinë të jetë më i qartë se kandidatja e Gjelbër për kancelare, Analena Baerbock. Dhe se socialdemokratët, me kandidat për kancelar Olaf Scholz-in.

Në sondazhin e fundit të para tre ditëve të Institutit Insa, CDU/CSU-ja merr 25 përqind të votave, Të Gjelbrit 24%, ndërsa Socialdemokratët 16 %.

Laschet-i mbështet politikën e jashtme të kancelares Merkel, të zhvilluar më tej. Këtë politikë e mbështesin, në fakt, edhe shumica e gjermanëve. Por Lascheti shikon të nevojshme nisjen e një "dekade modernizimi" për Gjermaninë - që të ruajë aftësinë për veprim.

Ai evidentoi se kanë ndryshuar me themel kushtet për politikën e jashtme gjermane. Kjo ka të bëjë edhe me forcimin e Kinës. Lascheti e mbështet marrëveshjen e investimeve të BE me Kinën. Por Kinën ai e quajti njëkohësisht "konkurente, rivale dhe partnere". Ky karakterizim është i ngjashëm me atë që kanë bërë së fundi për Kinën SHBA.

Lascheti mendon se Gjermania duhet "të bëhet më strategjike". Të hartojë strategji kombëtare, të cilat të miratohen nga një bazë e gjerë.

Nga njëra anë kjo do ta lejojë Gjermaninë të veprojë më shpejt, pasi me to do të parashikohen më mirë zhvillimet. Nga ana tjetër, me to do të bindet më mirë populli për angazhimet gjermane në botën e sotme, që është e ndryshme nga bota në të cilën është zhvilluar deri sot Gjermania. Si prioritet të parë ai përcaktoi ngritjen e një Këshilli Kombëtar të Sigurisë, që të jetë i vendosur në Zyrën Kancelarore.

Kandidati konservator për kancelar tha se "në momente vendimtare, vendi ynë ka nevojë për ekspertizën e gjithë qeverisë, duke përfshirë shërbimet e inteligjencës. Dhe të gjithë ata duhet të ulen në të njëjtën tavolinë".

Ky Këshill do të përcaktojë p.sh. se cilat janë krizat e mëdha që përvijohen dhe si duhet reaguar. Pjesëtarë të Këshillit do të jenë aktorë të rëndësishëm, nga ekzekutivi, landet federale, shërbimet e inteligjencës. Këshilli do të zhvillojë një strategji kombëtare, të cilën do t'ia paraqese edhe Bundestagut. Strategjia do të hartohet në vitin e parë të legjislaturës dhe do të rishikohet në vitin e tretë.

Gjermania ka aktualisht një Këshill Federal të Sigurisë. Por ai është i kufizuar në disa ministri dhe mblidhet vetëm për çështje të caktuara.

Armin Lascheti u shpreh qartë që Gjermania është një vend i fuqishëm. Dhe në përputhje me këtë duhet të shpenzojë dy përqind të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, në mënyrë që Nato-ja të mbetet "në gjendje të veprojë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco