Donald Trump: 'Një Lindje e Mesme e re po agon'

Donald Trump: 'Një Lindje e Mesme e re po agon'

10:18, 16/09/2020

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shprehur se ai beson se Arabia Saudite do të ndjekë Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump u tha se Mbretëria Saudite është në mesin e disa vendeve për të cilat ai beson se janë në prag të hapjes së lidhjeve diplomatike me Tel Avivin, duke theksuar se pasi ka folur me Mbretin Salman mendon se vendi do ta bëjë këtë në "kohën e duhur".

"Ne kemi shumë vende të tjera që do të na bashkohen së shpejti ", tha Trump disa orë pasi Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan zyrtarisht dokumentet për të normalizuar lidhjet me Izraelin.

Më tej, presidenti amerikan rriti numrin e kombeve për të cilët ai thotë se janë afër ndjekjes së hapave të dy kombeve të Gjirit Arab, pasi dje më herët tha se ishin pesë ose gjashtë kombe.

"Do të kemi 7 ose 8, ndoshta 9. Do të kemi shumë vende të tjera që do të na bashkohen, përfshirë edhe ato të mëdha", tha Trump.

Gjatë ceremonisë së djeshme të nënshkrimit të marrëveshjes, Trump tha se marrëveshjet do t'u japin fund "dekadave të ndarjes dhe konfliktit" në rajon dhe do të shoqërojnë "agimin e një Lindjeje të Mesme të re".

"Falë guximit të udhëheqësve të këtyre tre vendeve, ne marrim një hap të madh drejt një të ardhme ku njerëzit e të gjitha besimeve dhe prejardhjeve jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet", tha Trump, duke u adresuar para qindra mysafirëve të mbledhur për ngjarjen në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë.

Bahreini u bë vendi i katërt arab që vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979, Jordanisë në vitin 1994 dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në muajin gusht të këtij viti.

Përveç marrëveshjeve dypalëshe të nënshkruara midis Izraelit dhe kombeve arabe, të tre vendet dhe SHBA-të nënshkruan paktin e ndërsjellë. Trump dhe administrata e tij e quajti "Marrëveshjet Abraham".

Ministri i Punëve të Jashtme i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Alzayani, i përshkroi marrëveshjet si një "hap të parë të rëndësishëm" drejt vendosjes së paqes më të madhe në rajon.

"Tani na takon neve të punojmë urgjentisht dhe në mënyrë aktive për të arritur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme që meritojnë popujt tanë. Një zgjidhje e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme me dy shtete për konfliktin palestinezo-izraelit do të jetë baza e kësaj paqeje", tha Alzayani.

Marrëveshjet e normalizimit janë kundërshtuar gjerësisht nga palestinezët, të cilët thonë se marrëveshje të tilla nuk i shërbejnë çështjes palestineze dhe injorojnë të drejtat e tyre.

Autoriteti Palestinez tha se çdo marrëveshje me Izraelin duhet të bazohet në Nismën Arabe të Paqes së vitit 2002 mbi parimin "tokë për paqe" dhe jo "paqe për paqe" siç e shfrytëzon Izraeli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco