INVESTIGIMI/ Prostitucioni, një klikim larg

INVESTIGIMI/ Prostitucioni, një klikim larg

08:49, 28/03/2023

Ky shtet është një dhuratë e vërtetë për turistët e seksit, të cilët kërkojnë eskortat më të mira”,- kështu e përshkruan websit-i ‘Escort Guide’ Shqipërinë.  Ndërkohë në platformën “Sinjalizo”,  kanë ardhur denoncime nga qytetarë të ndryshëm se ‘shërbimet seksuale online janë lehtësisht të arritshme në vend’.

Gjatë investigimit të “Sinjalizo”, rezultoi se në vend ofrojnë shërbime të tilla online me dhjetëra website, në të cilët vajza shqiptare ose të huaja bëjnë të ditur në katalogun e tyre moshën, vendin e origjinës, qytetin ku ofrojnë shërbimin dhe çmimet përkatëse për ‘online/live sex’ dhe për takime fizike.

Prostitucioni online, filtri i kërkimit sipas qyteteve

Mbi 815 vajza promovojnë veten dhe ofrojnë shërbime seksuale, online ose jo, në 7 agjenci të ndryshme në  faqet e web-it, të cilat janë të aksesueshme edhe për minorenët. Kryesisht ato janë shtetase të huaja nga vendet e Amerikës Latine, Turqia, Kaukazi dhe Rusia.

Mjafton të klikosh në emrin e qytetit dhe më pas njihesh menjëherë me të dhënat e ofruesve të shërbimit, ndërkohë që disa prej tyre përfshijnë në katalog dhe ‘videot tërheqëse’ e publikuara në llogarinë personale në TikTok.

‘Atlas Escorts’ u bën të ditur klientëve ‘veçoritë’ e vajzave në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë dhe Shkodër ‘duke i ndihmuar’ ata në zgjedhjen e tyre. Sipas përshkrimit të publikuar në web ‘klientët në Tiranë mund të gjejnë studente që duan të kalojnë aventura dhe vajza të reja tërheqëse, të matura dhe të gatshme për të plotësuar çdo dëshirë të klientit’.

Sa kushton prostitucioni online?

Me emrin Hana është prezantuar 26-vjeçarja, e cila në katalogun e saj në ‘Escort News’ identifikohet si ‘punonjëse e pavarur’ në Tiranë, ndërkohë për ofrimin e shërbimit, klientët duhet të paguajnë 100 euro për 30 minuta dhe 280 euro për 1 orë e gjysmë.

Albjona prezantohet si vajzë me kombësi shqiptare, e cila ofron shërbim seksual në Tiranë në emër të ‘Euro Girls Escorts.com’. Çmimi që duhet të paguajnë klientët shkon nga 300 euro për 1 orë deri në 3000 euro për 24 orë. Klientët e kanë ‘vlerësuar’ 21-vjeçaren me ‘5 yje’, ndërkohë që në katalogun e saj ndodhet edhe një video e postuar në llogarinë e TikTok.

Lea, 30-vjeçare me kombësi italiane, bën publike për klientët e saj një video të shpërndarë edhe në TikTok, ndërkohë që për të kryer marrëdhënie klientët duhet të paguajnë nga 150 euro për një orë deri në 2000 euro për 24 orë. Ndërkohë, i njohur si ‘Summer boy’, 30-vjeçari brazilian bën të ditur në katalogun e tij, se klientët meshkuj, ose femra duhet të paguajnë 200 euro për 30 minuta për shërbimin e kryer në Tiranë, ndërsa një tjetër eskort mashkull, i prezantuar si 25-vjeçar me kombësi shqiptare ofron shërbimin e tij 50 euro për një orë dhe 200 euro për 2 orë.

Prostitucioni online i përhapur në vend, por ende i parregulluar me ligj

“Prostitucioni si veprimtari e paligjshme dhe dëmtuese në aspektin psiko-social kryesisht për ofruesin e shërbimit, ka marrë së fundmi forma të reja të ndihmuara edhe nga teknologjia”,- thotë për “Sinjalizo” sociologia Marsida Simo, e cila thekson se “në tërësi mënyra si organizohet prostitucioni është dëmtuese me apo ka kontakt fizik”.

 “Nuk e kam fjalën se po bëhet evazion fiskal, për këtë jam e shqetësuar më pak. Po flas për paligjshmëri në mënyrën si shitet dhe blihet intimiteti, i cili nis virtualisht, por mund të pasojë edhe me kontakt fizik, kundrejt pagesës”,- vazhdon ajo , duke pohuar se “të dhënat tregojnë se janë vajzat ato që përfshihen më së shumti në këto veprimtari, ku mosha e tyre jo pak herë është nën 18 vjeҫ”.

Avokati Bledar Meminaj thotë për “Sinjalizo” se “Jurisprudenca jonë deri më tani është ndodhur përpara rasteve të  veprës penale të prostitucionit të cilat kanë plotësuar kriterin e kontaktit fizik ndërmjet subjekteve”, – duke shtuar se- “elementi i dytë që të kemi anën objektive të veprës penale të prostitucionit është që kjo marrëdhënie të shoqërohet me shpërblim, qoftë ky në të holla apo në sende të tjera me vlerë”,- përfundon Meminaj.

“Ne kemi nevojë për një përditësim të Kodit Penal”,- thotë avokat Stefan Tollapi, i cili pohon se drejtësia shqiptare është përballur më parë me prostitucionin online, por mungesa e kontaktit fizik ka bërë që ngritja e akuzës “për ushtrim prostitucioni” të rrëzohet.

“Në rastin që unë kam mbrojtur, klientja kishte të punësuara vajza rreth të 20-ve që jepnin shfaqje online. Rastet e ngritura nga policia ishin të ekzagjeruara, pasi juridikisht nuk kishte ‘Shfrytëzim prostitucioni’ dhe ‘Prostitucion’ ”,- thotë ai,  duke shtuar se “mund të përfshihej tek pornografia, por dhe kjo ka shumë diskutim”.

‘Hot chat’ lehtësisht i arritshëm, ndërsa ‘shfrytëzimi për prostituticion’ disafishohet

Regjistrimi në “Jasemin.com” u pa si një mënyrë e ligjshme për të siguruar të ardhura për 9 vajza të reja nga Tirana, të cilat ekspozonin pjesë intime të trupit në biseda online me persona nga e gjithë bota përpara se të arrestoheshin nga policia shqiptare.

“Nga këto veprime te dyanëshme të ndërsjellta kryhen dhe pagesa në një vlerë të përcaktuar rast pas rasti nga e cila ½ ndalet nga shoqëria jasemin.com, pjesa tjetër kalon nëpërmjet veprimeve bankare duke marrë secila nga vajzat pjesën takuese të vlerës për njësi kohe të konsumuar online”,- tregon avokati Meminaj, i cili shton se “këto shtetase ishin informuar në QKB se ky aktivitet nuk ishte i ndaluar me ligj në vend”.

Arsyen se përse prostitucioni online po gjen përhapje në vend, sociologia Simo e lidh me faktin se ky lloj prostitucioni “shihet më pak i dëmshëm nga fakti se nuk ka kontakt fizik, ofruesi është më i mbrojtur, dhe mund të maskohet apo të mbulojë pjesën e fytyrës për të mbajtur privatësi”,shprehet Simo,  për “Sinjalizo”,  ndërkohë që shton se nuk mungojnë as rastet kur të rinjtë gjenden të papërgatitur përballë ofertës së ‘hot chat’.

“Mund t’ju tregoj rastin e një vajze e cila ishte studente dhe mori një ofertë nga një i panjohur në rrjetet sociale. Djali në fjalë diku 10 vite më i madh se studentja, kërkoi si fillim ndihmën e saj që ajo ta mësonte në lëndët që ajo po studionte të cilat përkonin me interesin e këtij të fundit”, tregon Simo, duke shtuar se- “Gjatë kohës kur ajo shpjegonte, djali masturbohej. Më pas, ai i tregoi qëllimin e vërtetë të takimeve online dhe i ofroi një shumë të konsiderueshme parash nëse do të vijonin këtë formë njohjeje. Vajza nuk pati tundime, madje mendoi ta denonconte, por hezitoi”, përfundon ajo.

Policia e Shtetit thotë për “Sinjalizo” se prostitucioni online nuk përbën vepër penale, ndërkohë që për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni” janë arrestuar gjatë vitit të kaluar 92 autorë, nga të cilët 79 meshkuj.

Gjithashtu, me anë të gjuhës së shifrave, Policia e Shtetit bën të ditur se vitin e kaluar arrestimet për këtë vepër penale janë gati trefishuar, pasi në vitin 2021 numëroheshin vetëm 37 të tilla, 14 prej të cilave u realizuan në kryeqytet.

E pyetur nga “Sinjalizo”, Ministria e Drejtësisë bën të ditur se për veprën penale “prostitucion” janë dënuar nga gjykata shqiptare 22 autorë gjatë periudhës janar 2022- janar 2023.

A është Shqipëria gati për legalizimin e prostitucionit?

“Nën efektin e shumë faktorëve të natyrës socialë, ekonomikë e kulturorë, tashmë ka ardhur momenti që edhe vendi ynë të ketë qasjen e disa vendeve të tjera dhe ushtrimi i prostitucionit mund të jetë i ligjshëm”, thotë avokati Meminaj, duke shtuar se “mund të trajtohet në regjistrin e veprimtarisë ekonomike ose mund të trajtohet nën një regjim tjetër juridik, ku të penalizohet blerja e aktit seksual dhe të dekriminalizohet shitja e aktit seksual”.

 Ndërkohë, sociologia Marsida Simo shprehet kundër legalizimit të kësaj veprimtarie.

“Zakonisht vajzat dhe gratë që merren me prostitucion, kanë një tutor burrë i cili udhëheq veprimtarinë dhe i shfrytëzon”, thotë ajo,  duke shtuar, se krahas dëmeve fizike, prostitucioni shoqërohet me përdorimin e lëndëve narkotike, ndërkohë që “vajzat, gratë që dalin nga rrjeti i prostitucionit mund të dhunohen psikologjikisht, seksualisht dhe fizikisht, duke qenë të detyruara të plotësojnë kërkesat e klientëve”, përfundon Simo për “Sinjalizo”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco