Kush ishte Fahri Beqiri?

Kush ishte Fahri Beqiri?

12:55, 18/05/2021

IN MEMORIAM

Shuhet jeta e kompozitorit tonë Fahri Beqiri -1936-2021

Fahri Beqiri (1936-2021) i përket brezit të dytë të kompozitorëve në Kosovë. Lindi në Mitrovicë në vitin 1936. Studimet për kompozicion i kreu në Akademinë Muzikorë në Beograd. Punoi si pedagog në shumë institucione arsimore, duke filluar nga shkollat fillore, gjimnaze, shkollë normale e të muzikës në Kosovë. Ishte profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe në Akademinë e Arteve - Dega e Muzikës në Prishtinë, ku ligjëroi lëndët Polifoni dhe Harmoni.

Përveç punës krijuese ai veproi edhe në lëmine e organizimit profesional muzikor. Ishte udhëheqës i shumë Shoqërive Kulturore Artistike, orkestrave popullore, argëtuese, të mandolinave, orkestrës frymore si dhe një varg koresh të ndryshëm. Ishte drejtor i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota” (1967), Kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, Kryeredaktor muzikor në RTP etj.

Është laureat i Plaketes përkujtimore të Mitrovicës (1974), Çmimit të Dhjetorit (1966), Çmimit të Nëntorit (1969-1971) si dhe fitues i shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve në festivale e manifestime të ndryshme muzikore. Vlerësohet puna e tij si profesor i lëndës Polifoni në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, duke ngritur shumë kuadro profesionale.

Veprimtaria e tij në lëmine e fushës së kompozimit, përfshinë vepra korale: “Erdh misiti”, “Madrigali i Ibrit plak”, “Moj e mira”, “Këndej kaloi armiku” etj., Pastaj radhiten shumë këngë për fëmijë, të frymës së zhanrit popullor, muzikë të lehtë, dhjetëra valle orkestrale etj. Në veçanti dallohen veprat instrumentale: “Kuinteti frymor”, “Suita për piano”, “Sonata për klarinetë e piano” si dhe vepra monumentale orkestrale:“Poema Simfonike “Skënderbeu”.

Fahri.Beqiri kompozoi edhe muzikë filmi: “Të ngujuarit”(1970), muzikë për Teatër: “Naim Frashëri”, (1980), “Trungu Ilir” (1981), tablo baleti “Paralojë dasme” (1975).

Pavarësisht nga këto vepra të cilat ishin pjesë e pandarë e programeve muzikore në Kosovë e gjetiu, nuk mundemi të tejkalojmë veprimtarinë e tij artistike në lëmine e ngritjes së vazhdueshme të orkestrimeve të këngëve popullore. Me decenie e udhëhoqi Festivalin “Kosovarja këndon” në Ferizaj, duke kontribuar në ngritjen e nivelit artistik të solisteve por edhe të orkestrës “Kastriotët”.

Në nivel të lartë artistik ngriti edhe Ansamblin SHKAA “Ramiz Sadiku” të Prishtinës, si dhe me vite udhëhoqi Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota” në Prishtinë. Janë shumë dëshmi që tregojnë për vlerat artistike që ky kompozitor i la Kosovës, që nga veprat simfonike, kamertale, korale, duke qenë pjesë integrale e shumë festivaleve në Ish Jugosllavi, sidomos në Opati (Kroaci)- Festivali “Tribuna e Krijimtarisë Muzikore të Kompozitorëve”.

Ishte pjesëmarrës i rregullt i Festivaleve ndër më të rëndësishmet te ne, duke filluar nga “Skena Muzikore e Prishtinës”, “Ditët e Muzikës në Gjakovë” ,“Akordet e Kosovës”, dhe shumë të tjera të organizuara nga Produksioni Muzikor i Radiotelevizionit të Prishtinës dhe Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës. Këngët e ti u interpretuan nga emra të rëndësishëm të skenës muzikore te ne, duke filluar nga: Nexhmije Pagarusha, Liljana Qavolli, Shpresa Gashi, Shpresa Berisha, Bashkim Paçuku, Ismet Bogujevci, Riza Bytyqi, Nysret Muçiqi dhe shumë të tjerë.

Bazuar në veprimtarinë krijuese, pedagogjike, organizative si dhe angazhimin permanent, entuziazmin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e jetës artistike muzikore në Kosovë, në vitin 2013, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit bazuar në nominimet paraprake institucionale muzikore, i ndanë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “ Niketë Dardani “.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco