Juventusi rikthehet për Kolo Muani, PSG kërkon 30 milionë euro

Juventusi rikthehet për Kolo Muani, PSG kërkon 30 milionë euro

09:46, 01/06/2026

Juventusi nuk ka hequr dorë nga Randal Kolo Muani dhe pritet të bëjë një tjetër tentativë për sulmuesin francez gjatë merkatos së verës. Sipas medieve italiane, bardhezinjtë janë të vendosur të arrijnë më në fund marrëveshjen për lojtarin pas disa përpjekjeve të dështuara në merkatot e fundit.

Historia mes Juventusit dhe sulmuesit Kolo Muani vazhdon prej kohësh, mes kontakteve të vazhdueshme dhe interesimit të fortë nga klubi torinez. Në Continassa besohet se transferimi i francezit mund të konkretizohet këtë herë, pasi të gjitha palët duket se janë më pranë një marrëveshjeje.

Një faktor i rëndësishëm në këtë operacion është edhe mbështetja që lojtari gëzon brenda dhomave të zhveshjes së Juventusit. Kolo Muani ka lënë përshtypje shumë të mira te grupi bardhezi për profesionalizmin dhe karakterin e tij, ndërsa Luciano Spalletti e vlerëson profilin e sulmuesit për cilësitë që mund t’i japë repartit ofensiv të Juventusit.

Edhe drejtuesit e klubit janë të bindur për potencialin e lojtarit. Marrëdhëniet me PSG-në, që zotëron kartonin e sulmuesit, janë përmirësuar pas tensioneve të mëparshme dhe kontaktet mes palëve kanë vazhduar gjatë gjithë sezonit.

Për të lënë të lirë francezin, PSG kërkon rreth 30 milionë euro. Një shifër e konsiderueshme, por që Juventusi e konsideron të arritshme për një lojtar me cilësitë e Kolo Muani.

Nga ana e tij, sulmuesi dëshiron të rikthehet protagonist dhe të luajë rregullisht, me synimin për të fituar sërish një vend edhe në Kombëtaren e Francës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco