Një nga momentet më të pabesueshme të sezonit në futbollin saudit ka ndodhur në sfidën mes Al Nassr dhe Al Hilal, ku një autogol dramatik në sekondat e fundit i mohoi titullin skuadrës së drejtuar nga Jorge Jesus.
Skuadra e Al Nassr, ku aktivizohen ‘yje’ si Cristiano Ronaldo dhe João Félix, po fitonte 1-0 deri në minutën e 98-të dhe tifozët në stadiumin ‘Al-Awwal Park’ kishin nisur festën për titullin kampion.
Megjithatë, askush nuk mund ta imagjinonte atë që ndodhi më pas.
Pas një rivënieje anësore për Al Hilal-in, topi dukej se po shkonte qetësisht në duart e portierit brazilian Bento. Por në një keqkuptim fatal me mbrojtësin Iñigo Martínez, portieri doli keq dhe e devijoi topin në rrjetën e portës së tij.
Autogoli tronditës vulosi barazimin 1-1 dhe shtyu festën e titullit për Al Nassr, në një fund ndeshjeje që do të mbahet mend gjatë nga tifozët.
Pamjet e momentit janë bërë menjëherë virale në rrjetet sociale, ndërsa shumë tifozë e kanë cilësuar episodin si një nga gafat më dramatike të viteve të fundit në futboll.
Një tjetër dëshmi se futbolli mund të jetë sa i bukur, aq edhe jashtëzakonisht mizor.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: