Stiven Zhang humb pronësinë e Interit, klubi zikaltër kalon plotësisht në duart e fondit amerikan

Stiven Zhang humb pronësinë e Interit, klubi zikaltër kalon plotësisht në duart e fondit amerikan

17:33, 22/05/2024

Tani është zyrtare: Stiven Zhang ka humbur pronësinë e Interit dhe klubi zikaltër ka kaluar plotësisht në duart e fondit amerikan “Oaktree”.

Presidenti zikaltër nuk ia doli dot që të paguajë borxhin e marrë në vitin 2021 dhe si pasojë përqindjet më të mëdha të aksioneve nuk janë më në duart e biznesmenit kinez dhe të kompanisë “Suning”.

Mesnata ishte momenti i fundit kur Zhang ishte pronar i Interit dhe deri në atë moment nuk mund të bënte dot asgjë për të shpëtuar aksionet e tij pasi duhet të gjente 375 milionë euro.

“Oaktree” po bënte mur për çdo zgjidhje dhe alternativë që jepte presidenti i Interit sepse qëllimi i tyre ishte të merrnin nën kontroll klubin. Përpara disa ditësh u refuzua edhe marrëveshja me “Pimco” një tjetër fond që do të jepte borxh për Suningun në mënyrë që të shlyhej kredia e parë. Por kjo gjë dështoi.

Tani sigurisht që do të nisin disa gjyqe për të sqaruar këtë situatë, nga e cila sigurisht që Interi dhe interistët janë të tronditur. Zhang refuzoi gjatë kësaj periudhe që ta shiste Interin sepse mendonte që mund t’ia dilte të bindte “Oaktree” për të shtyrë shlyerjen e kredisë, por nuk ia doli. 

Klubi i Interit i ka kushtuar jo pak Stiven Zhangut, por 800 milionë euro, para që në fakt kurrë nuk mund t’i rikuperojë të gjitha.

Vetëm një pjesë prej tyre, që do të paguhen nga ana e fondit amerikan. Por “Oaktree” do të trashëgojë edhe një borxh tjetër prej 415 milionë eurosh që skadon në vitin 2027, i marrë në shkurtin e vitit 2022 për të rifinancuar atë precedentin e 375 milionëve në vitin 2017.

Në atë kohë shërbenin për të mbyllur gropat që kishte krijuar menaxhimi i Moratit dhe Tohirit. Mirëpo Zhang arriti që edhe falë këtyre lëvizjeve të krijojë një ekip fitues.

Stiven Zhang u bë president i Interit në 26 tetorin e vitit 2018 pasi për 2 sezone qëndroi në asamblenë e përgjithshme. Në 6 vite, numri një i zikaltërve ka fituar 7 trofe duke u bërë presidenti i dytë më fitues në historinë e klubit zikaltër në barazim me Anxhelo Moratin që ka fituar 7 trofe.

I pari është Masimo Morati me 17. Zhang ka arritur të fitojë 2 herë titullin kampion në Itali, një me Konten dhe Inzagin dhe 2 herë Kupën e Italisë. Po ashtu ka arritur që të triumfojë 3 herë në Superkupën e Italisë. Këtë vit ai pati probleme dhe nuk iu gjend pranë skuadrës as në momentet kur duhet të festonin titullin kampion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco