Lautaro Martinez: Nuk kam asgjë më pak se Mbape, Haland, Lewandowski dhe Kane

Lautaro Martinez: Nuk kam asgjë më pak se Mbape, Haland, Lewandowski dhe Kane

15:32, 22/05/2024

Kupa e titullit kampion shkëlqen si një yll në qendër të sallës së takimeve.

Lautaro e ngriti në qiellin e Milanos të dielën në mbrëmje dhe dje bëri një vizitë në zyrat qendrore të gazetës “Gazzetta Dello Sport”.

Pas disa batutave në fillim me disa prej gazetarëve është momenti i pyetjeve për kapitenin e Interit.

Lautaro, çfarë ndjesie ju jep Kupa në dorë?

Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sepse unë Interin e konsideroj si shtëpinë time. E kam përjetuar kështu që nga dita e parë dhe lidhja me Milanon është e fortë. Ka një atmosferë speciale, këtu po rris fëmijët e mi, këtu bashkëshortja ka një restorant. Këtu ndiej dashurinë e tifozëve. I detyrohem shumë këtij klubi. Që nga dita e parë më kanë qëndruar afër dhe falë tyre u bëra kapiten. Është një nder dhe përgjegjësi për mua. Të ngrija kupën e yllit të dytë me shiritin e kapitenit është një ëndërr që futbolli e bëri realitet.

Titull dhe golashënues. Kjo ju ka ndodhur vetëm 5 lojtarëve. Si ndiheni të jeni në histori?

Është një kënaqësi brenda kënaqësisë. Numrat thonë që çdo sezon arrij të përmirësohem sepse ky është mentaliteti im. Dua të parakaloj gjithmonë veten dhe të kem objektiva të rinj. Grupi vjen përpara individit dhe unë thjesht kam kapitalizuar punën e të gjithë skuadrës.

Çfarë keni përmirësuar në këtë sezon dhe çfarë do të përmirësoni në të ardhmen?

Disa lëvizje të reja i kam përmirësuar. Më përpara luaja si sulmues i dytë, ndërsa këtë vit kam bërë unë sulmuesin dhe Turam kërkonte thellësinë dhe kombinonte me të tjerët. Golat më të rëndësishëm i kam shënuar në Torino me Juven, në Firence pas Superkupës kur kishim shumë mungesa dhe ishim të lodhur. Aty dhamë një sinjal vendimtar. Nga shkurti nuk kam shënuar shumë, është e vërtetë, por nuk duhen parë vetëm golat. Ndonjëherë ata nuk vijnë. Duhet që të shohim edhe lëvizjet dhe puna për skuadrën. Sigurisht që unë duhet të përmirësohem për t’i evituar këto momente, por edhe kur topi nuk futet në rrjetë kërkoj të ndihmoj skuadrën.

Në çfarë pike është cikli juaj fitues?

Interi kishte disa vite që nuk fitonte asgjë dhe prej 4 sezonesh gjithmonë kemi fituar ndonjë kupë. Cikli duhet të vazhdojë. Ka të drejtë drejtori Marota kur thotë që duhet të kemi më shumë pretendime. Nuk dua të zgjedh mes objektivave, por ne jemi Interi dhe duhet të luftojmë për të gjitha. Champions-i është një prej tyre. Në Stamboll ishim shumë afër, ndërsa një nga ndeshjet që do të doja të luaja sërish është ajo kundër Atletikos. Por në Milano duhet të shfrytëzonim rastet që patëm në dispozicion. Do të ishte tjetër histori. Sigurisht që edhe në Spanjë gabuam. Nëse kalon në avantazh duhet ta menaxhosh. Këtu duhet të përmirësohemi.

Sa merita ka Inzagi në këtë triumf?

Na lë të luajmë të lirë dhe të kemi lumturi. Argëtohemi në fushën e lojës dhe jo vetëm sepse po fitojmë. Në këto 3 vite ai së bashku me ne është rritur në teknikë, në teknikë dhe në momentet kur flet me skuadrën. Kemi bërë një rritje të gjithë bashkë. Është një person i qetë, por kur tërbohet ai… Kur e quajmë “djalli” buzëqesh. Është një njeri i madh.

Mbape, Haland, Lewandowski dhe Kane. Mendon se jeni në nivelin e tyre?

Po. Nuk kam asgjë më pak sesa ata. E thonë numrat dhe trofetë. Ka shumë kampionë që kanë fituar edhe më pak sesa unë. Sigurisht që duhet të vazhdoj të punoj me përgjegjësi, ashtu siç më ka mësuar im atë. Por sigurisht që mund të ulem në të njëjtën tavolinë me emrat e mësipërm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco