Dominimi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Struga për të shkruar historinë

Dominimi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Struga për të shkruar historinë

11:48, 07/04/2023

Kampionati në Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit ka pësuar një rritje të dukshme, me skuadrat që po bëjnë mirë edhe në arenën ndërkombëtare. Por, ato që i japin tonusin këtij kampionati janë ekipet shqiptare.

Struga, Shkëndija dhe Shkupi po dominojnë futbollin maqedonas.

Struga kryeson kampionatin, ndërkohë që të enjten arriti për herë të parë në histori të shkojë në finalen e Kupës.

Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro, do të ketë shtatë “finale” në kampionat dhe finalen e Kupës për të tentuar dy trofe në këtë edicion.

Kjo do të ishte historike, pasi në palmaresin e ekipit strugan mungojnë trofetë.

Tetë ndeshje si tetë finale për Strugën në një sezon fantastik ku mund të shkruhet historia.

Në anën tjetër, Shkëndija dhe Shkupi janë ekipet që në vitet e fundit kanë dominuar futbollin maqedonas, ndërsa në arenën ndërkombëtare kanë tentuar shpesh të arrijnë në fazën e grupeve të kompeticioneve të UEFA-s.

Shkupi u eliminua nga Ballkani në fazën play-off të Conference League edicionin e shkuar, ndërsa Shkëndija është ndalur në tre raste në play-off të Europa League.

Në dy sezonet e fundit, kuqezinjtë u eliminuan në raundin e tretë të eliminatoreve të Europa League dhe Conference League.

Tetovarët u eliminuan nga Makedonija GP në gjysmëfinalen e Kupës vetëm pas 11-metërshave, duke mos e kthyer finalen e madhe në një garë totalisht shqiptare.

Titulli është gati e sigurt se do të përfundojë në duart e një skuadre shqiptare.

Struga kryeson me 5 pikë mbi Shkëndijën dhe 7 më shumë se Shkupi.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco