Ndeshja me Skënderbeun, Shehi: Futemi në fushë për fitore, kjo skuadër lufton deri në fund për trofeun

Ndeshja me Skënderbeun, Shehi: Futemi në fushë për fitore, kjo skuadër lufton deri në fund për trofeun

19:10, 16/05/2024

 

Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, është shfaqur sot para mediave për konferencën para ndeshjes gjysmëfinale të “Final Four” ndaj Skënderbeut.

“Është e vërtete që nis një fazë e re, por fazë shumë e shkurtër prej 10 ditësh dhe vetëm dy ndeshje, të cilat vendosin shumë. Pas 36 javësh jemi munduar të freskonim pak skuadrën me disa minuta më pak në ndeshjen e fundit që në këtë periudhë të riaftësojmë dhe afrojmë me grupin Taipin e Carën që i janë bashkëngjitur pjesës tjetër të skuadrës. Skuadra është e plotë dhe e përqendruar për takimin e nesërm.

Kemi edhe një seancë të fundit stërvitore sot dhe aty do të vendosim përfundimisht se kush do ta nisë nga fillimi e kush jo. Pas seancës së sotme do e vendosim, edhe pse e kemi një ide. Pas saj do të vendoset 100%.

Me të gjitha skuadrat vijmë pas një përballje prej 4 herësh se kështu është formati. Me disa ke një bilanc pozitiv, me disa je aty-aty, apo me disa të tjera bilanci është negativ. Unë mendoj se në këtë fazë, cilado skuadër që futet, mund të ketë pretendimet e veta, çka e vështirëson shkallën e vlerësimit dhe përqendrimit, se një ndeshje është, nuk ka tjetër. Dhe në kuadrin e kësaj, ne do ta vlerësojmë Skënderbeun si skuadër që është renditur e katërta, ka objektivat e veta dhe është skuadër që do të kërkojmë ta mundim për të shkuar në finale.

Barazimi? Kur futesh në ndeshje të tillë, e shoh si ndeshje Kupe, me formatin e viteve më përpara, kur ke marrë rezultat të mirë në ndeshjen e parë në fushën e ekipit kundërshtar dhe kur kthehesh në shtëpinë tënde ke dy rezultate. Mendoj se nuk është se na favorizon shumë, por duhet ta kemi si pikë orientimi për të mos e humbur përqendrimin, që të mos e mendojmë në asnjë sekondë që kemi dy rezultate dhe kjo na ul pastaj dozën e përqendrimit, vlerësimit dhe motivimit se në futboll gjithçka ndodh dhe nuk ia lëmë asnjëherë asaj që edhe me barazim kalojmë.

Se për çfarë luan Skënderbeu, nuk më takon mua të flas, të ketë objektivat e veta dhe bëjë çfarë të dojë. Objektivi ynë i vetëm është që me 26 maj të shkojmë në finale.

Formulën e dinim që në fillim, mendoj se Partizani ka zhvilluar sezonin e dytë të mirë dhe mbi mesatare dhe shumë të mirë. Pse e them këtë? Sepse nëse vitin e kaluar e mbylli kampionatin me 67 pikë, këtë vit e mbyll me 64 pavarësisht se çfarë formule është. Dhe kjo tregon vazhdimësi, një qëndrueshmëri të skuadrës dhe mentalitet të mirë. Mendoj se në Shqipëri, nga eksperienca që kam unë, shumë pak skuadra mund ta bëjnë këtë, që të kenë një vazhdimësi dhe të mbyllin kampionatet vitin mbrapa me të njëjtën kuotë pikësh. Kjo tregon mentalitet dhe vazhdimësi, duhet të ngulmojmë për këtë pasi është shumë e rëndësishme në ngulitjen e mentalitetit dhe atë që duam ne, që skuadra jonë të jetë gjithmonë në majë të renditjes”, tha ndër të tjera Shehi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco