Mjekët zbulojnë tumorin e rrallë të Silvio Berlusconit

Mjekët zbulojnë tumorin e rrallë të Silvio Berlusconit

11:25, 07/04/2023

Gjendja është serioze, por e qëndrueshme. Ai është një pacient vigjilent, me ciklin e kimioterapisë që e ka nisur pardje për të luftuar patologjinë e gjakut që e mundon.

Deri në orët e para të pasdites së djeshme, ky ishte lajmi më i përditësuar për gjendjen shëndetësore të Silvio Berlusconit. Lajm jozyrtar dhe gjithsesi jo nga burime spitalore.

Në mbrëmje mbërriti njoftimi zyrtar i lëshuar nga spitali “San Raffaele”, i nënshkruar nga profesorët Alberto Zangrillo (drejtor i departamentit të anestezisë dhe kujdesit intensiv në ‘San Raffaele’, por edhe mjeku personal i ‘Cavaliere’) dhe Fabio Ciceri (shefi i hematologjisë dhe njësisë së transplantimit të palcës së eshtrave dhe onkoemetologjisë):

“Silvio Berlusconi aktualisht ndodhet në spital në kujdesin intensiv për trajtimin e një infeksioni të mushkërive. Episodi infektiv është pjesë e një gjendjeje hematologjike kronike, bartës i së cilës ai është prej disa kohësh: leucemia mielomonocitare kronike. Ish-kryeministri është konstatuar me fazën kronike dhe persistente të kësaj sëmundje dhe mungesë të karakteristikave evolutive në leuçeminë akute”.

Image

Së fundi, një pasazh mbi trajtimet: "Strategjia terapeutike në vend përfshin trajtimin e infeksionit të mushkërive, një trajtim i specializuar citoreduktiv që synon kufizimin e efekteve negative të hiperleukocitozës patologjike dhe rivendosjen e kushteve klinike ekzistuese".

Leuçemia kronike mielomonocitare, tumori nga i cili vuan Silvio Berlusconi, është një sëmundje mjaft e rrallë.

Në fakt, ajo përbën vetëm 3% të të gjitha formave të leuçemisë. Duke qenë se është e lidhur me plakjen, viktimat e tij janë kryesisht moshat mbi 65 vjeç. Pavarësisht kësaj, ekzistojnë trajtime të vlefshme (edhe nëse ende jo shëruese), të cilat mund të administrohen edhe në këtë grupmoshë.

Është një proliferim jonormal i monociteve (një nga familjet që përbëjnë qelizat e bardha të gjakut) që karakterizon leuçeminë kronike mielomonocitare.

Në praktikë, monocitet marrin përsipër nëngrupet e tjera të qelizave të bardha të gjakut, d.m.th., eozinofilet, bazofilet, neutrofitet, limfocitet dhe qelizat dentrike. Kjo situatë mund të shkaktojë probleme me koagulimin e gjakut, duke favorizuar trombozën ose gjakderdhjen.

Një tjetër simptomë që dallon këtë formë leuçemie është rritja e përmasave të shpretkës.

“Kjo nuk duhet nënvlerësuar, sepse nëse ky organ rritet shumë, ekziston rreziku jo vetëm që të shkatërrohet, por edhe të ndodhin atake në zemër”, – paralajmëron Dr.Giovanni Antonio Martinelli, onko-hematolog i “Casa di Cura la. Madonnina” në Milano.

Për më tepër, kur sëmundja është e pranishme për disa kohë, priren të formohen nyje nënlëkurore me ngjyrë vjollcë plot me monocite. Ndonjëherë ato janë plotësisht asimptomatike, të tjera shkaktojnë dhimbje.

Nëse numri i rruazave të bardha në qarkullim është shumë i lartë, mund të lindin probleme të qarkullimit me dukurinë e leukostazës, d.m.th stanjacioni i këtyre qelizave. Kur kjo ndodh në mushkëri, mund të keni simptoma që imitojnë ato të pneumonisë.

Nëse dyshohet për leuçemi mielomonocitare kronike, fillimisht bëhet një analizë gjaku. Përveç rritjes së numrit të monociteve, ndonjëherë mund të vërehet një ulje e trombociteve dhe rruazave të kuqe të gjakut. Megjithatë, nevojitet një mostër e palcës së eshtrave për t’u siguruar për praninë e sëmundjes.

Trajtimi i këtij tumori bazohet në barnat e kimioterapisë që administrohen nga goja. Përbërësit aktivë më të përdorur janë etopozidi, hidroksiurea dhe akilantët në përgjithësi. “Përveç reduktimit të masës së rruazave të bardha që qarkullojnë (dhe në veçanti atë të monociteve), ky trajtim favorizon edhe zvogëlimin e përmasave të shpretkës, duke ulur kështu rrezikun e komplikacioneve”, – shpjegon Dr.Martinelli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco