Në prag të çeljes së sezonit turistik, ndërsa ka nisur pastrimi i vijës bregdetare të Darëzezës, një problem i vjetër vijon të mbetet i pazgjidhur: ndotja alarmante e kolektorit të Levanit nga mbetjet e stallave të bagëtive që operojnë në zonë.
Sipas banorëve, kjo situatë zvarritet prej vitesh, duke dëmtuar tokat bujqësore dhe duke shkaktuar probleme shëndetësore tek bagëtitë. Ata shprehen të indinjuar se shkaku kryesor i ndotjes janë stallat pranë kolektorit, të cilat shkarkojnë mbetjet organike drejtpërdrejt në ujë.
Banorët theksojnë gjithashtu se shqetësues mbetet fakti që uji i ndotur tërhiqet nga hidrovori i Darëzezës dhe më pas derdhet në det, duke rrezikuar të kthehet në një burim infeksioni, sidomos në prag të sezonit veror.
Nga ana tjetër, peshkatarët kujtojnë me nostalgji kohën kur ujërat e kolektorit ishin të pastra, ndërsa sot theksojnë se ndotja ka sjellë një rënie të ndjeshme të gjallesave ujore.
Përballë kësaj situate, banorët i bëjnë apel institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje një problemi që prej vitesh mbetet i pandryshuar.
© SYRI.net