Lajmi i fundit

LIVE/ Protestat kundër qeverisë Rama në gjithë vendin

'Situata e përsëritur nga mos pastrimi i kanaleve kulluese'/ Përmbytjet në Gjirokastër shkaktojnë probleme në infrastrukturë

'Situata e përsëritur nga mos pastrimi i kanaleve kulluese'/ Përmbytjet në Gjirokastër shkaktojnë probleme në infrastrukturë

09:14, 21/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Përmbytjet e datës 6 janar në Gjirokastër kanë shkaktuar pasoja të konsiderueshme në infrastrukturë dhe banesa, duke theksuar problematikat e menaxhimit të ujërave të shiut.

Nga pastrimi i përrenjeve deri tani janë larguar rreth 10,000 metra kub inerte, ndërsa autoritetet identifikojnë si një nga shkaqet kryesore hedhjen e mbetjeve urbane dhe moskujdesin e qytetarëve.

Një problem tjetër i konstatuar është mospastrimi i pritave në disa segmente, pasi shumë prej tyre ndodhen në terren të paaksesueshëm.

Kjo ka bllokuar rrjedhën normale të ujit dhe ka rritur rrezikun për përmbytje të reja. Po ashtu, prerja pa kritere e pyjeve në zonat malore të përrenjeve ka shkaktuar pasoja në mjedis, duke ndikuar edhe në procesin natyror të kullimit të ujit.

Autoritetet bëjnë me dije se ndaj qytetarëve që hedhin mbetje urbane do të aplikohen gjoba, ndërkohë që grupet e terrenit kanë evidentuar 140 raste dëmesh në banesa dhe biznese.

Aktualisht po përpunohen të dhënat për përcaktimin e masës së dëmshpërblimit për të prekurit.

Pamjet e siguruara tregojnë qartë mosfunksionimin e disa institucioneve në Gjirokastër, përfshirë Drejtoria e Shërbimit Publik, Drejtoria e Bujqësisë, Pyjeve dhe Kullotave, si dhe Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, të cilat nuk kanë reaguar në kohë për të parandaluar pasojat e përmbytjeve.

Kjo situatë nxjerr në pah nevojën urgjente për përmirësimin e menaxhimit të infrastrukturës ujore dhe përgjegjësinë qytetare, në mënyrë që të shmangen dëme të mëtejshme në të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco