Evropa u përfshi këtë fundjavë nga një valë e hershme e të nxehtit veror, me temperatura që kapërcyen 35 gradë Celsius në Francë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar regjistroi ditën më të nxehtë të vitit 2025. Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike, duke rritur rrezikun shëndetësor në shumë rajone.
Përtej anulimeve të eventeve dhe bezdisë së vapës, rreziku real është për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje të caktuara, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj ndikimit të temperaturave ekstreme. Sipas Ashley Ward, drejtore e Heat Policy Innovation Hub në Universitetin Duke, netët tropikale – kur temperaturat nuk zbresin nën 24 gradë – mund të shkaktojnë rritje të rasteve me sëmundje të lidhura me nxehtësinë, madje edhe vdekje.
Për të mbrojtur shëndetin gjatë valëve të të nxehtit, specialistët këshillojnë përdorimin e kondicionerëve në ambiente si kinema, qendra tregtare dhe biblioteka, krijimin e një “këndi të freskët” në shtëpi për të fjetur, hidratim të vazhdueshëm, si dhe përdorimin e rrobave të lagura ose ventilatorëve portativë. Gjithashtu, duhet shmangur aktiviteti fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Ndër simptomat e para të sëmundjeve nga nxehtësia janë djersitja e tepërt, ngërçet muskulare dhe dhimbja e kokës. Nëse këto shenja injorohen, pasojnë marramendja, rrahjet e shpejta të zemrës dhe në rastet më të rënda – goditja nga i nxehti, që shoqërohet me konfuzion, fjalë të pakuptimta dhe humbje ndjenje. Në këtë pikë, thirrja për ndihmë urgjente është jetike.
“Mos kini turp të kërkoni ndihmë mjekësore nëse ndjeni se e keni tepruar me ekspozimin ndaj të nxehtit,” paralajmëron Ward.
© SYRI.net