Bashkia e Pukës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke krijuar një panoramë të bardhë në të gjitha njësitë administrative. Reshjet kanë qenë të vazhdueshme dhe intensive, duke mbuluar rrugët, trotuaret dhe hapësirat publike me një shtresë të trashë dëbore.
Përballë kësaj situate, strukturat e mirëmbajtjes dhe shërbimeve të Bashkisë Pukë kanë ndërhyrë menjëherë në terren për të siguruar pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim garantimin e qarkullimit normal të mjeteve dhe lëvizjes së qytetarëve.
Drejtori i shërbimeve pranë Bashkisë Pukë, Demir Syla, konfirmoi se aktualisht të gjitha rrugët në territorin e bashkisë janë të kalueshme. Megjithatë, ai apelon për kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve, sidomos në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës, kur pritet rënie e ndjeshme e temperaturave dhe rrezik ngricash në akset rrugore.
“Në gjithë territorin e bashkisë kemi angazhuar mjetet borëpastruese dhe punonjësit tanë në mënyrë që të mbajmë të hapura të gjitha rrugët. Jemi në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment që paraqitet nevoja dhe për të qenë pranë qytetarëve”, u shpreh Syla.
Bashkia Pukë u bën thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, të shmangin udhëtimet e panevojshme, të përdorin goma dimërore ose zinxhirë në automjete dhe të lajmërojnë menjëherë autoritetet në rast emergjence.
Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa pritet që reshjet të dobësohen gjatë orëve në vijim, por temperaturat e ulëta do të vijojnë të jenë një faktor rreziku për ngrica.
© SYRI.net