KAFE SHQETO/ Punonjësja e fasonerisë rrëfen 'tmerrin': Xhupi shitej 3000 euro, ne nuk merrnim rrogat!

09:32, 09/10/2023
A+ Aa A-

70 gra e vajza, punëtore të fabrikës “Ozgun Kan Albania” kanë protestuar dje para Prokurorisë Fier, për dhënien fund zvarritjes së shqyrtimit të kallëzimit penal ndaj kësaj kompanie, e cila në mënyre abuzive nuk ka paguar pagat për një periudhë prej dy muaj e 10 ditësh.

Ato pohuan të indinjuara se kallëzimi ka më shumë se dy muaj që “fle” në zyrat e prokurorisë dhe asgjë nuk është bërë deri më sot për t’i dhënë fund hetimit gjyqësor.

Ndërkohë  Prokuroria e Fierit në një sqarim për kallëzimin penal të një grupi punonjësish ndaj subjektit “Ozgun Albania” shpk deklaron se më datë 09.08.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.957, për veprën penale “Falimentimi i provokuar”, parashikuar nga neni 193, i Kodit Penal.

Në lidhje më këtë problem ishte thirrur në emisionin e mëngjesit në SYRI.TV, 'Kafe shqeto; një nga punonjëset e kësaj fasonerie, Selvie Vrapi.

Vrapi ka treguar se si vajzat dhe gratë që punonin në këtë fasoneri gënjeheshin çdo ditë nga pronari.

''Kam punuar 7-8 muaj atje. Nuk kishte asnjë lloj kushti por ne detyroheshim të punonim nga halli. Nuk pamë asnjëherë të na bënin një kontratë pune. Ishim të gjithë pasiguruar, ne e dinim që na siguronte pronari, por kur erdhi puna pamë që të gjithë ishim të pasiguruar.' është shprehur Vrapi për 'Kafe Shqeto'.

KAFE SHQETO: Po a ishit të deklaruar apo as deklarimet nuk ishin bërë?

VRAPI: Ai deklaronte po sigurime nuk kishte. Nuk e di se si i bënte, punë e tij

KAFE SHQETO: A patët komunikim pas muajit të parë që nuk iu kalojë rroga?

VRAPI: Po po komunikim kishim ne. Lëri këto muaj që nuk morëm rrogat, por muajt që kemi marrë lekët gjithmonë i merrnim 3-4 katër ditë me vonesë. Nuk punonim, pastaj na jepte lekët, gjithmonë ishte kjo rutinë. Ndërsa dy muajt e fundit ai na mbante duke na thënë: do i merrni sot, do i merrni nesër. Do kalojmë në një godinë tjetër. Kështu u gënjyem dhe vajtëm drejt falimentit.

KAFE SHQETO: Çfarë prodhonit ju aty?

VRAPI: Të gjitha, tekstile, madje dhe rroba firmato.

KAFE SHQETO: Falsifikime nëse po thoni firmato?

VRAPI: Nuk ishin falsifikime po ishin rroba firmato që shiteshin shumë shtrenjtë. Ne qepnim xhupa, kur thoshte se një xhup bënte 3000 euro.

KAFE SHQETO:  Në çfarë kushte është sot fabrika? Punohet apo jo?

VRAPI: Fabrika sot është mbyllur përfundimisht. Ishte hapur dhe ca kohë e la djali dhe e mori i ati dhe tani është mbyllur.

KAFE SHQETO: Pronarët janë shqiptarë?

VRAPI: Shqiptarë. Kur kemi punuar ne ka qënë një bashkëpunim turko-shqiptar.

Ndërsa në lidhje me punën që po bën Prokuroria e Fierit për këtë çështje, Vrapi u shpreh:

Ne nuk kemi marrë asnjëherë një përgjigje nga prokuroria. Po bëjmë kaq kohë, kemi vajtur atje dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne kërkojmë të drejtat tona. T'i jap sa më shpejt zgjidhje këtij problemi. E duam sa më shpejtë, këtë kërkojmë ne.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco