A na motivojnë influencerët e fitnesit për të bërë sport?

A na motivojnë influencerët e fitnesit për të bërë sport?

15:35, 23/05/2024
A+ Aa A-

Industria e fitnesit po lulëzon dhe influencerët e fitnesit gëzojnë popullaritet të madh në mbarë botën. Në të njëjtën kohë numri i personave me mbipeshë është rritur në një miliard. Si është e mundur kjo?

Shumë njerëz lëvizin shumë pak - në këtë përfundim ka arritur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Në raportin "Global status report on physical activity 2022", thuhet se 81 për qind e adoleshentëve dhe 27.5 për qind e të rriturve rrinë shumë ulur dhe ecin, vrapojnë ose e përdorin biçikletën shumë pak. Sipas një studimi të fundit të publikuar në "Lancet” numri i personave me mbipeshë është rritur në një miliard.

Në të njëjtën kohë ka një prirje të kundërt, gjithashtu globale. Industria e fitnesit po lulëzon sërish. Pas humbjeve gjatë pandemisë industria e fitnesit e ka rimarrë veten. Në mediat sociale si "Instagram", "YouTube" dhe "TikTok", influencerët e fitnesit kanë miliona ndjekës.

Ata postojnë sekuenca trajnimi, si dhe fotografi të vetat ose të klientëve të suksesshëm para dhe pas stërvitjes. Japin këshilla për mënyrat e të ushqyerit, qëndrimet pozitive mendore apo suplementet ushqimore. Shpesh të mbështetur nga prodhuesit e mëdhenj të artikujve sportivë, të cilët prej kohësh kanë zbuluar potencialin e influencerëve për të promovuar markën e tyre.

"Në fakt njerëzit mesatarisht bëhen më pak sportivë”, thotë Lars Donath. Ai drejton katedrën për kërkimet shkencore mbi stërvitjen fizike në Universitetin gjerman të Sportit në Këln. "Por mesatarja nuk është aq interesante. Shumë më interesante është ajo që ndodh anash". Këto skaje polarizojnë, thotë Donath. Përshtypja e tij është se sporti dhe lëvizja luajnë një rol shumë të vogël në institucione të tilla si kopshtet, shkollat ??dhe universitetet. Në vend të kësaj fitnesi po privatizohet gjithnjë e më shumë. Anëtarësimet në klube, pajisjet dhe veshjet sportive, të gjitha këto shtojnë shpenzimet. Kjo mund t'ua vështirësojë qasjen njerëzve nga grupet me arsim të ulët dhe me të ardhura të ulëta.

Kush e ka këtë akses, është rritur e socializuar me sport dhe ka prindër, që janë aktivë në sport, do të lëvizë edhe më vonë në jetë”, thotë Donath.

Influencerët e fitnesit mund të jenë demotivues

Njerëzit, të cilëve u pëlqen të bëjnë stërvitje, kanë më shumë gjasa të ndikohen pozitivisht nga fitness-influencerët, thotë Donath. Edhe studimet shkencore tregojnë se influencerët e fitnesit mund të kenë një efekt motivues dhe të ngjallin entuziazëm për stërvitje. Megjithatë ky motivim shpesh humbet shpejt, thotë Donath.

Studiuesit paralajmërojnë se ekziston një rrezik i madh, që prezantimi i influencerit të mos jetë frymëzues, por më tepër të paralizojë dhe demotivojë. Tepër ideale, tepër e paarritshme.

Çfarë i motivon njerëzit të merren me sport?

"Influencerët e fitnesit janë bekim dhe mallkim njëkohësisht", thotë Donath. "Nëse unë gjej personin e duhur, që më mbështet me qëllimet, motivet dhe kontekstin tim, atëherë mund të jetë një mundësi”. Megjithatë Donath nuk e sheh si shumë të mundshme këtë. "Unë besoj se ata që kanë mbipeshë dhe janë të pakënaqur, bëhen më të shëndoshë dhe më të pakënaqur". Polarizimi vjen duke u thelluar. Donath beson që t'i bësh njerëzit të ngrihen nga divani dhe të merren me sport duhet të jetë synim i shoqërisë në tërësi. "Prindërit duhet ta dinë, se sa i rëndësishëm është për fëmijët zhvillimi fizik, mendor dhe emocional, dhe t'i lejojnë fëmijët të luajnë jashtë dhe të ngjiten në pemë." Kushtet për këtë duhen krijuar edhe në kopshte, shkolla dhe institucione të tjera si universitete.

Nëse ke rreth vetes njerëz dhe shokë aktivë si dhe mundësi për të provuar sporte të ndryshme, këto të frymëzojnë më shumë se çdo influencer fitnesi, thotë Donath. "Ne jemi krijesa sociale dhe shpesh e orientojmë sjelljen tonë sipas sjelljes së njerëzve përreth nesh."

Ushqyerja është thelbësore në luftën kundër mbipeshës

Një shoqëri më aktive do të ishte edhe një shoqëri më e shëndetshme. Sporti forcon sistemin kardiovaskular, ul tensionin (shtypjen e gjakut) dhe mund të ndihmojë edhe kundër depresionit. Megjithatë, ka një gjë, që vetëm sporti nuk mund ta bëjë: t'i bëjë njerëzit më të dobët. "Shkenca është mjaft e qartë: potenciali më i madh për të humbur peshë është ndryshimi i të ushqyerit”, thotë Lars Donath.

Sigurisht që sporti mund të ketë efekt pozitiv në humbjen e peshës. Megjithatë, nëse pas stërvitjes e shpërbleni veten me pica, patate të skuqura ose ëmbëlsira, do të shihni pak sukses në peshore. Donath këshillon: "Fokusohu fillimisht te të ushqyerit. Kombino lëvizjen me ushqimin dhe përpiqu, që pas renies në peshë ta shfrytëzosh sportin për të ruajtur peshën"./ DW

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco