Greqi - bllokohen fabrikat e djathit, shkak sëmundja e këmbës dhe gojës

Greqi - bllokohen fabrikat e djathit, shkak sëmundja e këmbës dhe gojës

15:19, 07/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ishulli i Lesvos po përballet me një situatë kritike në sektorin e blegtorisë dhe industrisë së përpunimit të qumështit, pasi fabrikat e djathit kanë paralajmëruar mbylljen pa afat duke nisur nga data 8 prill.

Vendimi vjen si reagim ndaj ndalimit të eksporteve të produkteve të djathit, masë e ndërmarrë për shkak të përhapjes së sëmundja e këmbës dhe gojës. Prodhuesit paralajmërojnë se, nëse kufizimet nuk hiqen menjëherë, aktiviteti i tyre do të ndalet plotësisht, duke sjellë pasoja të rënda ekonomike.

Situata është përkeqësuar pas zbulimit të një rasti të ri në zonën e Agia Paraskevi, ku është vendosur një perimetër sigurie prej 10 kilometrash. Blegtoria, që konsiderohet shtylla kryesore e ekonomisë së ishullit, rrezikon seriozisht, pasi mbi 50% e familjeve në Lesvos sigurojnë jetesën nga ky sektor.

Sipas përfaqësuesve të industrisë, depot janë të mbushura me produkte të vitit 2025 dhe 2026, të cilat nuk mund të eksportohen, duke krijuar një bllokim të rëndë financiar dhe magazinimi. Ndërkohë, porositë për periudhën e Pashkëve janë humbur pothuajse plotësisht.

Prodhuesit theksojnë se djathërat e pjekur nuk paraqesin rrezik për konsumatorët, pasi virusi nuk mbijeton për shkak të aciditetit të tyre, dhe kërkojnë lehtësimin e menjëhershëm të transportit ose zhvendosjen e produkteve në Greqinë kontinentale.

Nga ana tjetër, fermerët shprehin shqetësim edhe për zbatimin selektiv të masave, duke theksuar se lëvizja e mjeteve dhe njerëzve në port vijon normalisht, ndërsa eksportet e tyre mbeten të bllokuara.

Vetëm gjatë muajit të fundit janë asgjësuar rreth 20 tufa bagëtish, ndërsa pasiguria për të ardhmen mbetet e lartë. Fermerët paralajmërojnë se mungesa e kompensimeve dhe e udhëzimeve të qarta nga shteti po i çon drejt falimentimit, ndërsa mijëra krerë bagëti dhe prodhime rrezikojnë të mbeten pa treg.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco