Universiteti i Tiranës ka mbështetur protestën e studentëve në Maqedoninë e Veriut, pasi i’u ndalua përdorimi i gjuhës shqipe në provime.
Në një reagim të publikuar në faqen zyrtare të Universitetit të Tiranës, institucioni shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës amtare në proceset arsimore dhe profesionale.
Reagimi thekson se kjo është një të drejtë standard ndërkombëtar dhe një element i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe, duke nënvizuar se vlerësimi profesional duhet të bëhet në të njëjtën gjuhë që ndiqen studimet.
Universiteti i Tiranës inkurajon institucionet përkatëse të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse për studentët dhe thekson se respektimi i diversitetit gjuhësor forcon kohezionin social dhe rrugën drejt integrimit rajonal në Bashkimin Evropian.

Postimi i plotë:
Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale.
E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet [📚] e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë.
Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore.
Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian!
Rektori i Universitetit të Tiranës,
Prof.Dr. Artan HOXHA
© SYRI.net