Zbulohet fytyra e një 'vampiri' pas 400 vitesh, shkencëtarët rindërtojnë pamjen e 'burrit të frikshëm' nga Kroacia

Zbulohet fytyra e një 'vampiri' pas 400 vitesh, shkencëtarët rindërtojnë pamjen e 'burrit të frikshëm' nga Kroacia

22:01, 09/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Për herë të parë pas më shumë se 400 vitesh, është zbuluar fytyra e një burri që besohej se ishte “vampir”. Eshtrat e tij u gjetën në një varr në Račesa, një fortesë në Kroacinë lindore, dhe tregojnë shenja të qarta ritualesh të ashtuquajtura “kundër vampirëve”.

Sipas arkeologëve, trupi ishte nxjerrë nga varri, i ishte hequr koka dhe ishte rivarrosur me fytyrë poshtë, nën gurë të rëndë. Meqë këto dëmtime nuk mund të shpjegohen nga faktorë natyrorë, ekspertët besojnë se ato janë kryer me qëllim që i vdekuri të mos “kthehej” si vampir.

Falë teknologjisë moderne, shkencëtarët kanë arritur të rindërtojnë pamjen e tij duke u bazuar në kafkën e zbuluar. Arkeologia Nataša Sarkić, pjesë e ekipit të gërmimeve, shpjegon se frika që ai ngjalli pas vdekjes lidhet me jetën e tij të dhunshme.

“Analizat bioarkeologjike tregojnë se ky njeri ishte shpesh i përfshirë në konflikte të dhunshme dhe vdiq në mënyrë të dhunshme. Ai kishte përjetuar të paktën tre episode të rënda dhune gjatë jetës”, tha Sarkić. Një nga sulmet i kishte deformuar fytyrën, gjë që mund ta ketë bërë figurë frikësuese dhe të përjashtuar nga shoqëria.

Sipas besimeve sllave, individët që vdisnin dhunshëm, jetonin në mënyrë të dhunshme ose konsideroheshin devijantë shoqërorë, rrezikonin të ktheheshin në vampirë. Për këtë arsye, ndaj tyre kryheshin rituale parandaluese si prerja e kokës, varrosja me fytyrë poshtë, vendosja e gurëve mbi trup ose lidhja e gjymtyrëve.

Eksperti i grafikës Cicero Moraes përdori skanime CT për të rindërtuar virtualisht kafkën dhe më pas pamjen e fytyrës. Fillimisht u krijua një version “objektiv”, bazuar vetëm në strukturën e kockave, dhe më pas një version më artistik, me elemente si plagët dhe shprehjen e fytyrës. Sipas Moraes, pamja përfundimtare është “armiqësore dhe kërcënuese”.

“Shenjat në fytyrë dhe dëmtimet e shumta tregojnë se jeta e tij ka qenë jashtëzakonisht e trazuar”, u shpreh ai.

“Vampiri” i Račesës besohet se ka jetuar në shekullin XV ose XVI, ishte rreth 1.63 metra i gjatë dhe ka vdekur në moshën 40–50 vjeç. Ai mund të ketë qenë ushtar ose një person i mësuar me përballje të dhunshme. Varri i tij u gjet brenda një ndërtese që mendohet të ketë qenë kishë, por në vendin më të pafavorshëm përgjatë murit.

Ky zbulim është një nga mbi 180 varrime të gjetura në fortesën e Račesës, rreth 110 kilometra në juglindje të Zagrebit. Besimi te vampirët ka qenë i përhapur në Evropë, me raste të ngjashme të dokumentuara në Poloni, Serbi dhe Kroaci. Ndër më të njohurit është ai i Petar Blagojević, i cili u shpuar me hunj dhe u dogj në Serbi në vitin 1725, si dhe Jure Grando Alilović, i përshkruar si vampir në dokumente historike kroate.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco