Trupat e shtatë tifozëve të PAOK-ut që humbën jetën në aksidentin fatal rrugor pranë Timishoarës në Rumani po riatdhesohen sot në Greqi me një fluturim të posaçëm ushtarak C-130. Dy nga tre të plagosurit po kthehen gjithashtu në Greqi, ndërsa i treti mbetet nën kujdes mjekësor pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, por jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet rumune vijojnë hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërsa mbeten pa përgjigje pyetje kyçe lidhur me rrethanat e ngjarjes.
LEXO EDHE: 'Aksidenti tragjik në Rumani / Dëshmia e të mbijetuarit: Shoferit iu bllokua timoni
Avokati i kompanisë së qirasë së automjetit deklaroi se furgoni, i prodhuar në vitin 2017, nuk ishte i pajisur me sistem ndihme për mbajtjen e korsisë, duke hedhur poshtë pretendimet për një defekt teknik.
Njëri nga të mbijetuarit, në një deklaratë për mediat greke, tha se ishte i vetëdijshëm gjatë gjithë kohës dhe se grupi ishte shumë i lidhur: “Ishim si vëllezër. Sot është ditë zie për ne”.
Viktimat ishin tifozë të rinj dhe besnikë të PAOK-ut, të cilët udhëtonin shpesh për të ndjekur ekipin e tyre në Greqi dhe Europë.
Mes tyre kishte edhe tifozë nga Selaniku, Katerini dhe Aleksandria e Imathisë, përfshirë edhe Vasilis Pallos, me origjinë nga Shqipëria.
Në Greqi, dhimbja është e madhe. Qindra tifozë kanë ndezur qirinj në stadiumin “Toumba”, ndërsa Patriarku Ekumenik Bartolomeu vizitoi vendin për të nderuar kujtimin e viktimave, duke folur për një humbje që ka tronditur jo vetëm familjet e tyre, por mbarë komunitetin sportiv grek./ Përgatiti: Syri.Net
© SYRI.net