Franca i ka hequr veton Malit të Zi, duke bërë të mundur që ky shtet ballkanik të mbyllë këtë të martë pesë kapituj të negociatave me Bashkimin Europian.
Bëhet fjalë për kapitullin për lirinë e ofrimit të shërbimeve, lëvizjen e lirë të kapitalit, të drejtën tregtare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe atë për peshkimin.
“Faleminderit Francës. Na keni dhënë një detyrë të vështirë ditët e fundit, por edhe një mundësi për Malin e Zi që të tregojë edhe një herë sa serioz është në procesin e zgjerimit. Me Malin e Zi, BE-ja po fiton një shtet anëtar që mund të ecë krah për krah me disa nga anëtarët e tjerë, edhe pse dikur ishte vendi më i varfër në ish-Jugosllavi. Mali i Zi nuk do të paraqesë një barrë të madhe tatimore për qytetarët e BE-së. Qëllimi realist është mbyllja e të gjitha negociatave deri në fund të vitit 2026“, u shpreh kryeministri malazez, Milojko Spajic.
Në samitin e BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, ka bërë të ditur se presidenca e Këshillit të BE-së dhe shtetet anëtare kanë vendosur që të krijojnë një grup pune, për të hartuar traktatin e pranimit të Malit të Zi në BE
Spajic ka thënë se numri rekord i kapitujve të mbyllur ka qenë motivim për Këshillin, për të hyrë në fazën finale të integrimit në BE.
“Presidenca e Këshillit të BE-së dhe Shtetet Anëtare vendosën në takimin e djeshëm të krijojnë një grup pune për të hartuar Traktatin për Pranimin e Malit të Zi në Bashkim. Numri rekord i kapitujve të mbyllur është motivimi më konkret për Këshillin, si dhe për ne, për të hyrë në fazën përfundimtare të integrimit në BE me të gjitha forcat tona”, ka shkruar Spajic
Deri tani, Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt në negociatat me BE-në. Qëllimi i Qeverisë së Malit të Zi është që ky shtet të jetë gati të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028.
Mali i Zi udhëheq vendet e Ballkanit për t’u bërë pjesë e unionit, duke lënë pas edhe vetë Shqipërinë.
Procesi i zgjerimit të BE-së për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë i ngadaltë për disa arsye.
Nga njëra anë, ka çështje dypalëshe të pazgjidhura, deficite në sundimin e ligjit dhe nivele të larta korrupsioni në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, ka pasur një shkallë ngurrimi dhe "lodhjeje nga zgjerimi", nga ana e shteteve anëtare të BE-së.
Pas vitesh pengesash, Mali i Zi çoi përpara reformat kyçe dy vjet më parë dhe krijoi një konsensus të gjerë politik mbi anëtarësimin në BE. Si Podgorica ashtu edhe Brukseli, tani synojnë ta përfundojnë procesin e pranimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Mali i Zi kohët e fundit arriti një moment të ri historik duke mbyllur pesë kapituj pranimi, të cilët janë një parakusht për t'u bashkuar me BE-në, por kërkesat e mbetura përfshijnë sigurimin e dënimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, emërimin e zyrtarëve kyç gjyqësorë dhe plotësimin e pozicioneve të lira drejtuese në institucione të mëdha.
© SYRI.net