Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

Buxheti u miratua, përplasja vazhdon: Fermerët grek ende në pritje të takimit me Mitsotakis

Buxheti u miratua, përplasja vazhdon: Fermerët grek ende në pritje të takimit me Mitsotakis

07:16, 17/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se është “optimist, por i kujdesshëm” lidhur me qasjen e qeverisë ndaj fermerëve, menjëherë pas miratimit të buxhetit, në një prononcim të shkurtër për protothema.gr.

Sipas tij, paketa e masave e finalizuar nga zëvendëskryeministri Kostis Hatzidakis, pas njoftimeve të ministrit të Bujqësisë Kostas Tsiaras, përbën një bazë reale për dialog, për aq kohë sa edhe përfaqësuesit e fermerëve janë të gatshëm për bisedime. Në këtë fazë, thekson kryeministri, përgjegjësia për hapat e ardhshëm u takon fermerëve.

Paketa e propozuar përfshin 160 milionë euro për zëvendësimin e të ardhurave:

80 milionë euro për fermerët e bagëtive të prekur nga lija, të cilët përballen edhe me kosto prodhimi jashtëzakonisht të larta për shkak të izolimit,

Në paketë përfshihen gjithashtu naftë pa taksa në pompë, me mundësi kontrolli përmes barkodit në telefonin celular dhe masa të rrepta kundër kontrabandës, energji elektrike rurale me çmim nën 9 cent për kilovat-orë, si dhe ndryshim i rregullores së ELGA-s, në mënyrë që kompensimi për fatkeqësitë natyrore të arrijë në 100%.

Paralelisht, qeveria greke ka liruar rreth 500 milionë euro nga OPEKEPE dhe ELGA për pagesa të rregullta dhe kompensime për dëme nga fatkeqësitë natyrore, duke synuar të normalizojë fluksin e pagesave. Objektivi është që deri në fund të dhjetorit të shpërndahen gjithsej 1.2 miliardë euro.

LEXO EDHE: Fermerët grekë shpërndajnë oriz në rrugët e Selanikut, protestojnë për mungesën e mbështetjes shtetërore

Sipas burimeve qeveritare, dita më e mundshme për një takim mes fermerëve dhe qeverisë është e premtja. Ende nuk është e qartë niveli i përfaqësimit, pasi takimi mund të zhvillohet ose me vetë kryeministrin Mitsotakis, si në vitin 2024, ose me Hatzidakis dhe Tsiaras, në rast se kryeministri angazhohet në Samitin e Brukselit. Mesazhi i qeverisë është i qartë: vetëm përmes dialogut mund të shtrohen dhe të zgjidhen kërkesa të mëtejshme sektoriale apo lokale.

Megjithatë, qëndrimet mes fermerëve mbeten të përçara. Disa e konsiderojnë paketën si maksimumin e mundshëm në kushtet aktuale, ndërsa të tjerë e cilësojnë atë “thërrime” dhe kërkojnë vazhdimin e mobilizimeve.

Fermerët pritet të koordinojnë qëndrimet e tyre të enjten pasdite në Lefkonas të Serres, pranë doganës së Promachonasit. Takimi nuk pritet të jetë i lehtë, pasi fermerët e zonave tradicionalisht konservatore mbajnë qëndrimin më të ashpër, veçanërisht ata që ende nuk kanë përfituar nga pagesat e fundit dhe ndodhen nën verifikime të kryqëzuara.

Nëse fermerët zgjedhin përshkallëzimin e tensioneve, qeveria do të duhet të rishqyrtojë strategjinë e saj, megjithatë po bëhen përpjekje përmes kanaleve të komunikimit që të sqarohen masat dhe të krijohet një klimë për marrëveshje dhe pezullim të protestave.

Për kryeministrin Mitsotakis, “vija e kuqe” mbetet kalimi i OPEKEPE nën mbikëqyrjen e Autoritetit të të Ardhurave Publike (AADE). Ai deklaroi se reforma, edhe pse e vonuar, do të realizohet patjetër dhe paralajmëroi votim me apel në Parlament, duke i kërkuar PASOK-ut të pozicionohet qartë dhe duke dërguar një mesazh të fortë edhe për deputetët e partisë së tij që kanë shprehur rezerva.Syri.Net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco