Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, ka paraqitur dorëheqje të parevokueshme, vetëm pak orë përpara se Kuvendi të diskutonte nismën e Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.
Dorëheqja u bë publike gjatë një konference për media në ambientet e Prokurorisë Publike, ndërsa Kocevski konfirmoi se vendimi i tij tashmë është formalizuar edhe me shkrim dhe u është dërguar institucioneve përgjegjëse.
Ai mohoi kategorikisht se largimi lidhet me mungesë profesionalizmi apo rezultate në punë, duke theksuar se arsyeja kryesore është presioni politik dhe mosrespektimi i pavarësisë së prokurorisë.
“Kam zgjedhur të flas hapur për problemet reale, për mungesën e burimeve dhe për nevojën e një prokurorie të pavarur. Nuk kam ndërhyrë në vendimmarrjen e prokurorëve dhe kjo, duket, është bërë e papranueshme”, deklaroi Kocevski.
Sipas tij, rasti i shkarkimit të një kryeprokurori nga politika përbën një precedent të rrezikshëm dhe pritet të evidentohet edhe në raportet e ardhshme të Komisionit Evropian për vendin.
“Po largohem pa asnjë njollë profesionale, por me zhgënjim të thellë për mënyrën se si po minohen parimet e shtetit të së drejtës”, u shpreh ai.
Procedura për shkarkimin e Kocevskit ishte iniciuar nga Qeveria më 9 dhjetor, me arsyetimin se ai ka keqmenaxhuar Prokurorinë Publike dhe ka tejkaluar kompetencat ligjore, veçanërisht përmes një udhëzimi të lëshuar në qershor të këtij viti.
Në dokumentet qeveritare thuhet se ky udhëzim ka cenuar hierarkinë dhe pavarësinë e prokurorëve, si dhe se nuk janë marrë masa për rrjedhjen e informacioneve nga lëndë gjyqësore sensitive.
Seanca parlamentare e paraparë për shkarkimin e tij nuk u mbajt, ndërsa Kuvendi vetëm konstatoi dorëheqjen e kryeprokurorit.
Opozita maqedonase reagoi duke e cilësuar këtë zhvillim si një tjetër shembull të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të politikës në sistemin e drejtësisë.
© SYRI.net