Mijëra grekë dolën sot në rrugët e Athinës, ndërsa mjekë dhe mësues iu bashkuan punonjësve të sektorit publik në një grevë 24-orëshe, duke protestuar kundër pagave të ulëta dhe rritjes së kostos së jetesës, në prag të votimit të buxhetit për vitin 2026.
Punonjësit e sektorit publik thonë se masat e qeverisë nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet mujore. “Është një buxhet që shkurton miliona nga spitalet publike, ku punoj edhe unë, dhe i kanalizon fondet drejt shpenzimeve ushtarake,” tha mjekja Argyria Rotokritou gjatë protestës para parlamentit.
Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka propozuar lehtësime tatimore dhe masa mbështetëse me vlerë 1,6 miliardë euro, të cilat pritet të miratohen nga parlamenti si pjesë e buxhetit të vitit të ardhshëm. Megjithatë, pavarësisht rritjeve të fundit, pagat mbeten nën mesataren e eurozonës, ndërsa çmimet e ushqimit dhe strehimit janë rritur.
Protestuesit shprehën gjithashtu solidaritet me fermerët, të cilët për javën e tretë kanë vendosur mijëra traktorë dhe kamionë në dhjetëra bllokada, duke ndërprerë trafikun në autostrada kryesore dhe duke bllokuar herë pas here kalimet kufitare. Fermerët kërkojnë përshpejtimin e pagesave të prapambetura të ndihmave të Bashkimit Evropian, uljen e kostos së karburantit bujqësor dhe masa mbrojtëse ndaj importeve të produkteve.
Vonesat e pagesave janë shkaktuar nga hetimet për një skandal korrupsioni, ku disa fermerë, me ndihmën e punonjësve shtetërorë, dyshohet se kanë falsifikuar pronësinë e tokës për të përfituar fonde. Auditimet pasuese kanë ngadalësuar shpërndarjen e fondeve.
Greqia është rimëkëmbur nga kriza e borxhit të viteve 2009–2018, pas shkurtimeve të pagave dhe masave shtrënguese që ishin pjesë e paketave ndërkombëtare të shpëtimit.
© SYRI.net