Projektligji për kompensimin vjetor – i njohur si paga dhe pensioni i 13-të – ka hyrë zyrtarisht në procedurën parlamentare të Malit të Zi. Nisma, e përgatitur nga Forumi Shqiptar, synon të zbatohet për herë të parë për vitin 2025 dhe përfshin të gjithë punonjësit dhe pensionistët në vend.
Çfarë parashikon projektligji?
Sipas propozimit, punonjësit dhe pensionistët do të marrin një pagesë vjetore shtesë:
• Punonjësit: 50% të pagës minimale neto mujore në Mal të Zi, që aktualisht përbën 300 euro për vendet e punës deri në nivelin V të kualifikimit arsimor.
• Pensionistët: 40% të pensionit më të ulët mujor, që i bie 180 euro.
E drejta për këtë pagesë vlen për të gjithë punonjësit me punëdhënës të regjistruar në Mal të Zi, pavarësisht formës së pronësisë, si dhe për pensionistët që marrin pension nga sigurimi i detyrueshëm pensional dhe invalidor.
Pagesa proporcionale dhe përjashtimet
Projektligji parasheh që punonjësit që kanë punuar më pak se 12 muaj tek i njëjti punëdhënës do të marrin një shumë proporcionale në bazë të muajve të punësuar.
Punonjësit me kohë të pjesshme marrin kompensim proporcional, përveç rasteve kur punojnë me gjysmë orari për kujdes ndaj fëmijëve – në këto raste marrin shumën e plotë.
Personat me aftësi të kufizuara që punojnë në kushte të veçanta kanë të drejtë gjithashtu për shumën e plotë të kompensimit.
Punonjësit që kanë ndryshuar më shumë se një punëdhënës gjatë vitit, marrin shpërblim nga secili prej tyre në përpjesëtim me kohën e punës.
Afatet e pagesës
• Punëdhënësit duhet ta paguajnë kompensimin deri më 31 dhjetor të vitit aktual.
• Në raste paaftësie të përkohshme paguese, pagesa mund të shtyhet deri më 31 mars të vitit pasardhës, por së paku 30% duhet të paguhet deri më 31 dhjetor.
• Shpërblimi për pensionistët paguhet përmes Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor deri në fund të vitit.
Fondet për sektorin publik sigurohen nga Buxheti i Malit të Zi, ndërsa për sektorin privat mbulohen nga vetë punëdhënësit.
Sanksionet
Punëdhënësit që nuk e paguajnë kompensimin sipas afatit apo shumës së përcaktuar do të gjobiten me 2,000 – 10,000 euro, ndërsa personat përgjegjës brenda kompanisë me 500 – 1,000 euro.
Qëllimi i projektligjit
Forumi Shqiptar thekson se krijimi i kësaj pagese vjetore ka për synim përmirësimin e standardit ekonomik të qytetarëve në kohë rritjeje të kostove të jetesës, çmimeve sezonale dhe inflacionit të vazhdueshëm.
© SYRI.net