FBI-ja greke” (njësia elitare e policisë greke për krimin ekonomik) ka zhvilluar një operacion të gjerë në Kretë që nga orët e para të mëngjesit, duke zbuluar një skemë masive subvencionesh të paligjshme nga OPEKEPE – institucioni që menaxhon fondet bujqësore të BE-së në Greqi. Sipas informacioneve të para, deri tani janë kryer 14 arrestime.
Burime policore bëjnë të ditur se operacioni synon shkatërrimin e një organizate kriminale me 42 persona të përfshirë, nga të cilët 15 konsiderohen anëtarë kyç. Të arrestuarit dyshohet se kanë përfituar subvencione të konsiderueshme përmes deklaratave të rreme, duke manipuluar dokumente dhe të dhëna bujqësore për të marrë fondet e BE-së.
Grupi kriminal dyshohet se përfshinte kontabilistë, avokatë dhe disa fermerë, duke krijuar një rrjet të strukturuar mashtrimi brenda sektorit të subvencioneve.
Personi i konsideruar si udhëheqës i skemës është presidenti i një kooperative bujqësore, i cili njëkohësisht mban edhe funksion në një sindikatë lokale, duke shfrytëzuar pozicionin për të organizuar rrjetin e përfitimeve të paligjshme.
Hetimet përfshijnë periudhën 2019–2025, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 1.7 milionë euro subvencione të përfituara në mënyrë të jashtëligjshme.
Policia greke pritet të japë detaje të tjera gjatë ditëve në vijim, ndërsa operacioni konsiderohet një ndër goditjet më të mëdha të viteve të fundit kundër abuzimit me fondet bujqësore në vend.
© SYRI.net