Protestat e fermerëve në Greqi kanë hyrë në një fazë të re tensioni, pasi lëvizjes iu bashkuan edhe fermerët e blegtorisë nga Thesalia. Me makineri bujqësore, ata marshuan drejt qendrës së Larisës dhe sheshit kryesor të qytetit, ku hodhën qumësht dhe ushqim për kafshët, për të denoncuar humbjet e mëdha nga lija e gjedhit dhe mungesën e kompensimeve.
Ndërkohë, sot pritet të bllokohet edhe zyra doganore në Promachonas, ndërsa në Trikala do të ngrihet një bllokadë e re në kryqëzimin e Megalochorit, paralel me autostradën E65. Burime nga terreni bëjnë me dije se bllokada simbolike në porte përfshirë atë të Volosit pritet të vijojnë në ditët në vijim.
Organizatorët e protestave po zhvillojnë takime të mbyllura për të përcaktuar strategjinë e tyre në lëvizjen që konsiderohet më e madhja në 20 vitet e fundit. Sipas burimeve të protothema.gr, cikli i parë i mobilizimeve pritet të mbyllet në fund të javës, pasi bllokadat të vendosen në të gjithë territorin.
LEXO EDHE: Greqia në ditën e tretë të protestave: Fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë bllokimin e porteve
Në këtë fazë, fermerët po forcojnë pozicionet ekzistuese duke shtuar traktorë të tjerë, me qëllim rritjen e presionit ndaj qeverisë.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare
Java që vjen do të shërbejë për vlerësimin e situatës. Fermerët synojnë të vijojnë protestat edhe gjatë festave të Krishtlindjeve, duke i shtuar presionin Athinës për të marrë masa konkrete.
Vendimet për fazën e dytë të mobilizimeve pritet të merren në një takim kombëtar që mund të zhvillohet në Nikaia javën e ardhshme. Atje do të vendoset nëse do të ketë bllokada të reja, mbyllje të rrugëve anashkaluese apo shtim të formave të tjera të protestës. Ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi mënyrën e përshkallëzimit.
Çfarë kërkojnë fermerët?
Edhe pse një takim zyrtar mes qeverisë dhe përfaqësuesve të fermerëve nuk është caktuar, të dyja palët po përgatiten për negociata. Fermerët kërkojnë:
Ulje të kostos së prodhimit, duke përfshirë naftë dhe energji elektrike pa taksa, me çmim jo më shumë se 7 cent/kWh.
Ndryshime në rregulloren e ELGA, që do të lejonin përfshirjen e më shumë produkteve bujqësore në skemat e kompensimit.
Protestat pritet të vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa vendimet e javës së ardhshme do të përcaktojnë nëse Greqia do të hyjë në një fazë edhe më të ashpër përplasjesh mes fermerëve dhe qeverisë.
© SYRI.net