Policia zbarkoi mbrëmjen e djeshme në zonën e plazhit Jaz në Kotor, pas një vrasjeje të ndodhur pranë plazhit të afërt Trsteno.
Sipas mediave malazeze, forca të shumta policore rrethuan zonën duke kontrolluar të gjitha hyrjet dhe daljet, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.
Rrethimi filloi pranë urës në Jaz dhe shtrihet deri në vendin e ngjarjes, që ndodhet rreth një orë larg.
Me urdhër të prokurorit të lartë të shtetit, kalimi është ndaluar për publikun, ndërsa zyrtarët po kontrollojnë identitetin e çdo automjeti që ndodhet pranë perimetrit të sigurisë.
Trupi i pajetë i një burri, ende i paidentifikuar, është gjetur brenda një automjeti pranë plazhit Trsteno.
Sipas informacioneve jozyrtare, viktima dyshohet se është një anëtar i nivelit të lartë i një grupi kriminal, çka ngre dyshimet se kemi të bëjmë me një tjetër përplasje mes klaneve rivale.
Një makinë funerale nga Tivati ka mbërritur në vendngjarje për të transportuar trupin e pajetë. Edhe pse autoritetet ende nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar, burime pranë hetimit thanë se viktima është qëlluar përmes xhamit të përparmë të makinës.
Kjo është vrasja e dytë e ndodhur në më pak se dy muaj që lidhet me konfliktet e përgjakshme midis klaneve kriminale që veprojnë në zonën e Kotorit.
© SYRI.net